Xhiro e Spanjës uli siparin këtë të diel duke u mbyllur nën shenjën e Primoz Roglic.

Slloveni nuk gaboi në etapën e fundit duke festuar në Madrid këtë fitore që është historike për ciklizmin e vendit të tij, kjo sepse Roglic bëhet i pari ciklist slloven që fiton një nga Turet e mëdha të këtij sporti.

Roglic që ka një të kaluar si kampion i kërcimit nga trampolina me ski, e ktheu etapën e 21 të xhiros së Spanjës në një paradë për të dhe për skuadrën e tij Jumbo Visma. Slloveni e mori kryesimin në renditjen e përgjithshme pas etapës kronometër individual dhe e mbajti me mjeshtëri deri në fund duke i rezistuar rivalitetit të Alejandro Valverdes dhe bashkëkombasit të tij Tadej Pogacar i cili u shpall edhe ciklisti i ri më i mirë i eventit.

Përsa i përket etapës së 21, ajo u fitua nga Jakobsen i ndjekur nga Sam Benett në vendin e dytë dhe polaku Sajnok në të tretin. Por momentin më interesant në këtë etapë të fundit të Xhiros së spanjës e krijoi ciklisti spanjoll Ezquerra i cili i propozoi për martesë të dashurës së tij teksa ishte duke garuar. Vajza ndodhej në makinën e skuadrës së Ezquerrës, kur ai iu afrua dritares dhe nxori kutinë me unazën duke i propozuar dhe përgjigjja padyshim që ishte pozitive.

Top Channel