Prej 16 shtatorit çelet java e edicionit të 14-të Festivalit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.

Një festival që përqendrohet kryesisht mbi pikëpyetjet dhe problematikat kryesore të shoqërisë sot dhe pjesë e një rrjeti prej 41 të tillë në botë.

Nëse vitet e kaluara Festivali ishte i fokusuar tek krimi i organizuar dhe korrupsioni, terrorizmi, migracioni apo kërcënimi i së vërtetës, këtë vit aktiviteti vjen me një tematikën “Injoranca vret”. Duke e lidhur këtë me komunikimin dhe planetin e madh “Google”.

“Kjo është një mrekulli, sepse e ka bërë botën më të vogël. Por është e rrezikshme nëse nuk krijon balancën reale. Do të thotë që njeriu këtë planet ta shohë si një mundësi për të eksploruar dhe për të mos u thithur prej saj”, ka thënë drejtori i IHRFFA, Kujtim Cashku.

Për këtë edicion janë përzgjedhur 44 produksione nga e gjithë bota. Me disa shfaqe të veçanta.

“Sic është filmi I Marco Bellocchios “Tradhëtari”, i cili trajton pothuajse një anatomi të krimit , të mafias, në rang jo vetëm lokal, por edhe botëror. Sikurse është edhe një special screening, filmi i Pawlikowsit, “Cold War”-“Lufta e Ftohtë””, shprehet Cashku.

Pas ceremonisë hapëse të së hënës, shtegtimi intensiv gjashtë ditor do të sjellë filma e produksione të viteve të fundit.

“Në konceptet e mia, kultura dhe arti është ekonomi. Peizazhi kulturor do të krijojë një frymë të re në gjithë jetën e vendit tonë”, ka thënë Cashku.

Jetona Koçibelli

Top Channel