Vështirësi për ilaçe dhe ushqime të freskëta? Me çfarë pritet të përballet Britania

12/09/2019 17:04

Plani i një Brexit-i pa marrëveshje mund t`i sjellë Britanisë vështirësi në sigurimin e ilaçeve dhe ushqimeve të freskëta.

Ndërmarrjet dhe qytetarët britanikë nuk janë gati për një divorc të tillë nga BE-ja; shkëputja pa ujdi mund të sillte brenda një dite të vetme përgjysmimin e numrit të kamionëve që kalojnë La Manshin drejt Anglisë.

Kjo pohohet në një dokument zyrtar të qeverisë britanike, i cili mban datën 2 shtator, por bëhet publik vetëm tani. Dokumenti tregon se deri në 31 tetor, nuk do të bëhen dot të gjitha përgatitjet e duhura për një dalje të butë të Londrës nga BE-ja.

E përditshmja “The Guardian” shpjegon se si ekzekutivi britanik parashikon një rritje të menjëhershme të çmimit të ushqimeve dhe karburantit, probleme të furnizimi më ilaçe e mbase, edhe “tension mes qytetarëve apo prishje të qetësisë publike”.

Shtetasit britanikë po ashtu mund të bëhen subjekt i shtimit të kontrolleve në kufijtë e BE-së. Dokumenti praktikisht tregon atë që do të ishte skenari më i keq për qeverinë në rastin e një largimi nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje. Partia Laburiste në opozitë është e bindur se kjo letër, konfirmon praktikisht rreziqet e mëdha që burojnë nga një skenar i tillë. Zëdhënësi i saj për Brexit-in, Keir Starmer tha se ishte absolutisht e papërgjegjshme që qeveria ka tentuar t’i injorojë paralajmërimet dhe të mos e lejojë publikun që t’i shohë këto të dhëna.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku europian erdhi pasi 52 përqind e zgjedhësve britanikë votuan për dalje nga BE-ja, ndërsa 48 përqind e kundërshtuan këtë hap në referendumin e vitit 2016.

 

Top Channel