Në prezantimin e tij të parë si kryeministër i ri në ceremoninë e inaugurimit të Panairit të 84-t Ndërkombëtar të Selanikut mbrëmjen e së shtunës, Kyriakos Mitsotakis ka bërë të njohur për grekët, parametrat themelorë të një plani 4-vjeçar nën sloganin “Zhvillim ekonomik për të gjithë”.

Fjalimi i tij u përqëndrua në një vizion  më të gjerë të qeverisë, që ai drejton duke nxjerë në pah një sërë masash lehtësuese, kryesisht për bizneset, por edhe uljen e taksës së pasurisë se palujtshme dhe heqjen e plotë te  kontrollit të kapitaleve.

“Pas vendimit të popullit grek ju përshëndes për herë të parë nga ky podium si kryeministër i Greqisë. Dhe sot, në 7 shtator, saktësisht dy muaj pas zgjedhjeve tona kombëtare, vendi ka hyrë në një kapitull të ri”, u shpreh kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis ka deklaruar gjithashtu se qeveria e tij përveç rritjes ekonomike do të rrisë investimet, do kujdeset për marrëdhëniet e punësimit si dhe do kryejë procesin e dixhitalizimit të administratës.

“Zhvillimi ekonomik është sfida e parë dhe më e rëndësishmja që duhet të dalim fitimtarë. Kërkon përparësi të plotë  dhe aty do të gjykohet përfundimisht suksesi i qeverisë sonë. Do të reduktojmë papunësinë, do të krijojmë vende te reja pune dhe do të përmirësojmë të ardhurat e qytetarëve tanë”, tha Mitsotakis.

Ndërkohë sindikata të ndryshme të sektorit shtetëror dhe atij privat kanë zhvilluar marshime proteste në Selanik , duke kërkuar rritje pagash e pensionesh, kushte më të mira pune  dhe të drejta sociale, ndërsa për herë të parë pas shumë vitesh si rezultat i masave drastike të sigurisë me mijëra policë, nuk ka pasur konfrontime të grupeve anarkiste me forcat e rendit.

Me interes të madh pritet konferenca per shtyp që mban orët e ardhshme, kryeministri grek sipas traditës duke ju përgjigjur pyetjeve të të gjitha mediave vendase dhe të huaja.

Aleksandër Marku

 

Top Channel