Pas debutimit këtë fundjavë me ndeshjet që dhuruan duele të forta dhe emocione në 90 minutat e para të kategorisë Superiore, në harkun e pak ditëve 10 ekipet elitare do të impenjohen sërish.

Java e dytë e Superligës do të luhet e ndarë në dy ditë sipas programit të zyrtarizuar nga ana e FSHF-së, të martën dhe të mërkurën. Pas suksesit bindës ndaj Luftëtarit që në start, Tirana do të kërkojë një tjetër fitore ndaj një rivali të paktën në letër, të kalueshëm sipas pritshmërive.

Bardheblutë do të luajnë me Teutën në stadiumin Selman Stërmasi të martën në orën 19:00.

Kategoria superiore prezanton të mërkurën 4 sfidat e mbetura ku nuk mungojnë duelet pikante. Flamurtari dhe Kukësi do të përballen mes tyre në stadiumin e Vlorës me bregdetarët në nevojë pikësh mes amullisë financiare dhe problemeve teknike.

Në po të njëjtën ditë, më herët Laçi do të presë në shtëpi Skënderbeun ndërsa Partizani kampion në fuqi luan në fushën e Luftëtarit. Demat e kuq janë favoritë edhe në qytetin e Gurtë, jo vetëm prej diferencës në organikë, por gjithashtu prej problemeve të ekipit gjirokastrit që në nisjen e sezonit.

Vllaznia ndërkohë do të presë Bylisin në të njëjtin impiant ku mori 3 pikët e para të Superiores, por në kontrast me Laçin, këtë herë do të sfidohen mes tyre dy debutues, me synimin primar sigurimin e pikëve për qëndrimin në elitë.

Top Channel