Afrikanët kërkojnë skuadër/ Ekipi me futbollistët në Tiranë që kërkojnë të shiten

25/08/2019 22:01

Merkato dhe lëvizja e futbollistëve në sezonin e verës është një nga gjëra më të zhurmshme të kësaj periudhe pushimesh. Milionat e eurove kthehen në qendër të bisedave të kujdo që hedh një sy apo edhe thjesht dëgjon se sa ka shpenzuar një skuadër për shërbimet e një futbollisti.

Por jo kudo biznesi i futbollit është fitimprurës, ndodh edhe si në vendin tonë ku shumica e futbollistëve paguhen sa për t’u ushqyer, në rastin që paguhen dhe pavarësisht kësaj ka edhe nga ata që futbollin shqiptar e shohin si trampolinë europiane, ose të paktën kështu e mendojnë dhe e shohin nga larg.

“Kam 3.5 vjet që jetoj këtu jam menaxher futbolli. Europa është një atraksion i ri një mundësi e re për ta. Por i duhet një deri në dy vjet për të kuptuar se si funksionon Europa për këtë arsye mundohem t’i ndihmoj dhe t’i mbështes. Gjtihashtu shoh se kush punon më shumë dhe ka dëshirë të rritet, kush nuk mundet le të kthehet pas”- tha menaxheri Joshua King Dada.

“I kam takuar këta në fusha stërvitore dhe në kafe. Nuk janë lojtarët e mi, jetojnë këtu nëpër apartamente të ndryshme që unë nuk e di, thjesht po përpiqem ti ndihmoj. Këto nuk i kemi marrë ne nga Afrika i kemi gjetur këtu nëpër Tiranë. Luajnë vetë kalçeto. Thjesht po i japim një dorë një shtyse që të luajnë”- tha Alban Rexha.

Rrugëtimi i tyre nga Afrika për në Shqipëri kushton rreth 2000 euro aq sa janë të ardhurat vjetore mesatare të një afrikani, ndërkohë që nën zë, menaxherët tregojnë se këta futbollistë, vijnë në kampionatin tonë me synimin minimal, që të paguhen sa për t’u ushqyer që të mos përfundojnë në rrugë ashtu siç janë deri më tani.

“I mbaj me ushqim dhe me pije, gjithçka që i duhet. Këta janë vëllezërit e mi”- shprehet tha Joshua King Dada.

“Në qoftë se nëpër ekipe të tjera kushto byreku, tek ne kushton tasqebapi dhe pilafi”- tha Alban Rexha .

Top Channel