Pas një sezoni të suksesshëm televiziv dhe mjaft të dobishëm për publikun e gjerë, emisioni “Hipokrati” rikthehet në 21 Shtator në Top Channel me një imazh krejt të ri. Programi i kushtuar tërësisht shëndetit, mënyrës së jetesës dhe risive të mjekësisë moderne, rivjen në këtë sezon të ri televiziv me rubrika të reja, ku në fokus do te jenë pacientët dhe gjithë problematikat e sistemit shëndetësor me të cilat ata përballen, si dhe sfidat apo zhvillimi i mjekësisë shqiptare në veçanti dhe ajo globale në tërësi.

Përmes rubrikave të reja të këtij sezoni, “Hipokrati” do të trajtojë edhe më në detaje tema të veçanta duke ofruar shumë më tepër informacion të larmishëm për publikun, me një minutazh edhe më të zgjeruar, tashme prej 80 minutash.

Ndërveprimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun do të jetë një prej risive të këtij sezoni. Në studion e “Hipokratit” jo vetëm që do të ketë publik pjesëmarrës në diskutime, por kushdo do të ketë mundësinë që tashmë të komunikojë me stafin e emisionit përmes rrjeteve sociale lidhur me problemet shëndetësore me të cilat përballen. Përmes faqes së emisionit në ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’, publiku do të mund të japë dhe sugjerime për temat, te cilat kanë interes publik për t’u trajtuar.

Të rejave dhe ndryshimeve që vijnë në këtë sezon u bashkohet një figurë e re televizive që do të drejtojë emisionin. Pas gati 20 vite eksperiencë si gazetare dhe moderatore e lajmeve, gazetarja Erjona Rusi, i është bashkuar ekipit të “Hipokratit” për të sjellë një qasje të re në drejtimin e këtij programi televiziv dhe veçanërisht në ndërveprimin e publikut dhe ndërgjegjësimin për një kulturë gjithnjë e më të pasur shëndetësore.

Stafit të emisionit i bashkohet gjithashtu këtë sezon edhe fituesi i edicionit të dytë të ‘Top Talent’, Korado Aliaj, i cili realizon kështu ëndrrën e tij për të qenë pjesë e Top Channel.

“Hipokrati” në sezonin që pritet të fillojë, do të ketë studion e re, të konceptuar nga skenografi i talentuar Fatmir Minga, në funksion të formatit dhe stafit të ri.

“Hipokrati” do të transmetohet çdo të shtunë në ekranin e Top Channel duke nisur nga data 21 shtator 2019, ora 18:00–19:20.

Ritransmetimi do të jetë ditëve të diela.

“Hipokrati” do të jetë prezent në rrjetet sociale, Facebook, Instagram, Youtube.

Top Channel