Reino Guri, një nga 10 maturantët më të mirë në Shqipëri. 18 vjeçari është i vetmi djalë në top 10-n e maturës shtetërore. I ulur gjithmonë në bankë të parë dhe i vëmendshëm gjatë orëve të mësimit.

I pyetur se si ndihet ai shprehet: “Ndihem shumë mirë në fakt, nuk është se e prisja të isha në mes të 10 më të mirëve në Shqipëri, por është kënaqësi. Dhe kënaqësi që isha i vetmi çun nga 10, 9 goca dhe unë që përfaqësova çunat të paktën”.

Por triumfi i Reino-s ishte i pritshëm për mësuesen e tij të matematikës. 10-at e marra gjatë 3 viteve të gjimnazit reflektuan rezultatet maksimale në provimet e maturës.

“Reino Guri është një nga më të mirët që kemi patur. Kur më thanë që Reino Guri ka dalë në 10 më të mirët, ishte shumë sistematik. Shumë i vëmendshëm dhe fjalë pak”, thotë Dituri Malaj, mësuese matematike.

Këmbëngulja dhe vullneti, e çuan të riun në majë të piramidës së maturantëve. Ai na tregon se si mposhti tundimin për të kaluar kohën larg faqeve të librave, dhe përkushtimin ndaj tyre.

“Gjatë viteve të gjimnazit mjafton të isha sistematik, sepse kisha mësuese shumë të mira. Dhe gjithmonë kam synuar të arrij 10-ën. Sistemi ynë është i ndarë në 3 mujore dhe në fund të 3 mujorit ke shumë teste për të bërë dhe në fund të 3 mujorit unë rrija dy javë pa dalë. Mund të dilja vetëm 1 herë për të bërë vrap nga liqeni apo diçka sportive se më ndihmonte dhe më të mësuarin . Nëse të tjerët dilnin nga 3 4 orë, unë vetëm 1 orë”, shprehet Reino.

Top Channel