Arkeologët në Pompei zbulojnë bizhuteritë e çmuara

14/08/2019 06:15

Arkeologët që punojnë në Pompei kanë zbuluar një koleksion bizhuterish, rruaza dhe hajmali që sipas tyre japin një imazh të botës femërore në Romën e lashtë. Koleksioni u gjet në një kuti druri në shtëpinë e kopështit në sektorin Regio V të sajtit.

Në të gjendeshin edhe dy pasqyra, disa copëza varëseje, copa bronzi, kockash dhe gurësh të çmuara si edhe një figurë njerëzore dhe disa hajmali fati. Shpërtghimi i Vezuvit në vitin e 79 pas krishtit i mori jetën të paktën 1500 personave dhe groposi nën rrënoja qytetet romane të Pompeit dhe Herkulaneumit, duke i mbuluar me hi vullkanik dhe shkëmbinj.

Pompei u rizbulua në shekullin e 18. Drejtori i parkut arkeologjik të Pompeit, Massimo Osanna thotë se në këtë zbulim të fundit bëhet fjalë për objekte të jetës së përditshme në botën femërore, që janë të jashtëzakonshme sepse rrëfejnë histori të vogla, biografi të banorëve të qytetit që u përpoqën ti shpëtonit shpërthimit.

Ai tha edhe se ishte zbuluar një dhomë me 10 viktima të shpërthimit, mes tyre gra dhe fëmijë, në një shtëpi, dhe ata po përpiqen të përcaktojnë nëse ata ishin një familje, përmes analizave të adn-së.

Osanna tha se objektet mund ti përkisnin një prej viktimave. Arkeologët besojnë se cilësia e lartë e gurëve të çmuar dhe qelqit të gjetur po ashtu edhe gdhendjet e figurave, sugjerojnë rëndësinë e shtëpisë së pronarit. Disa prej bizhuterive do të ekspozohen bashkë me të tjera objekte të gjetura në Pompei në palestra grande, në sajt.

Top Channel