Një javë para betimit të kryebashkiakut të ri të Shkodrës, Partia Demokratike hapi letrat për Valdrin Pjetrin, duke zbuluar për publikun dënimin e tij në Itali për trafik droge. Duke cituar dokumentin e kuesturës së Firencës, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se Valdrin Pjetri është arrestuar në flagrancë në 27 janar të 2003, ndërsa vetëm një ditë më pas, ai ka pranuar krimin duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal të shtetit fqinj.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti Italian”, tha Gazment Bardhi i PD-së.

Demokratët këmbëngulin se Edi Rama ishte në dijeni të vendimit të Valdrin Pjetrit nga të njëjtat burime që lajmi kishte mbërritur edhe në selinë blu në muajin korrik. Pas fakteve qe tregoi partia demokratike për këtë çështje reagoi edhe kryeministri Rama duke e bërë të qartë se Partia Socialiste ndahet nga Valdrin Pjetri.

“Jo Valdrini,po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual! I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!

Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”, tha Rama.

Kryeministri në komentin e tij për çështjen e Valdrin Pjetrit ka një paralajmërim edhe për të tjerë eksponentë që mund të ketë probleme me ligjin.

“E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë:Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS!”, tha ai më tej.

Valdrin Pjetri, pas një jave priste që të merrte postin e kryebashkiakut të Shkodrës. Pas këtij qëndrimi ende nuk ka një reagim prej tij, por duket se deklarata e kryeministrit tregon edhe fundin e karrierës politike të përfaqësuesit politik të Partisë Socialiste në veri të vendit, por edhe të zgjedhurit për bashkinë e Shkodrës e cila mund të bëhet e para ku mund të mbahen zgjedhje të reja të parakohshme duke i dhënë mundësi edhe PD për herë të dytë që të hyje në garë.

Top Channel