Konsultë disa minutëshe, kështu e përshkruan Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, ndalesën në aeroportin e Vjenës. Mediat kosovare raportuan se vëllai i kryeministrit ishte ndaluar nga policia austriake në bazë të një fletarresti nga Serbia, por Haradinaj thekson nuk bëhet fjalë për arrestim apo ndalim.

“Lajmi nuk është i vërtetë, ishte vetëm një konsultë disa minutëshe me policinë në aeroport. Nuk ka të bëjë as me ndalim dhe as me arrestim.Jam në Vjenë i lirë dhe duke u bazuar në planin tim”, tha Haradinaj për Klan Kosovën.

Ai falenderon autoritetet austriake për korrektesën e treguar.

“Falënderoj policinë dhe shtetin austriak për korrektësinë e vazhdueshme, si në këtë rast, ashtu edhe në mbështetjen e vazhdueshme të cilën ia kanë dhënë Kosovës pa rezervë.Mesazhi im për miqtë dhe dashamirët të shqetësuar, jam i lirë dhe jam shumë mirë. Shumë shpejt takohemi në Kosovë – i falënderoj të gjithë për mbështetjen”, përfundoi ai.

Edhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha ka reaguar për këtë situatë, të cilën e konsideron indinjuese dhe provokuese për të gjithë kombin shqiptar.

“Me indinjatë mësova lajmin e ndalimit ne Vjenë të deputetit të Parlamentit të Kosovës z. Daut Haradinaj, një prej luftëtarëve më të spikatur të çlirimit të Kosovës, për shkak të një fletarresti nga Serbia.  Është një tallje me faktorin ndërkombetar, me institucionet europiane dhe amerikane, që ndërsa Serbia flet për marrëveshje e bisedime me Kosovën,nga ana tjetër provokon Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar duke vijuar taktikën e dështuar të lëshimit të fletarresteve. U bëj thirrje autoriteteve të Austrise mike të refuzojne këtë taktikë konflikti në Ballkan të frymëzuar nga mendësi të vjetra që në të shkuarën hapën plagë për Ballkanin e që vënë në pikëpyetje vullnetin për të ardhmen europiane të rajonit tone”, shprehet Basha.

Top Channel