Të ardhurat në buxhet u rritën 3.5%/Por krahasuar me planin e qeverisë ishin 30 mln euro më pak

17/07/2019 15:23

Të ardhurat në buxhetin e shtetit u rritën me 3.5 për qind në gjysmën e parë të vitit, por krahasuar me planin e programuar me buxhet ato ishin 30 milionë euro më të ulëta.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën janar-qershor,  qeveria mblodhi 225.4 miliardë lekë në buxhet nga 217 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por plani i qeverisë ishte që për gjashtëmujorin e parë të këtij viti të mblidhte mbi 229 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të detajuara, zëri me ecurinë më të dobët vazhdojnë të mbeten të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Për gjysmën e parë të këtij viti, qeveria mblodhi 6 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro tvsh më pak nga sa kishte planifikuar.

Tvsh-ja është taksë që mblidhet mbi qarkullimin e mallrave në ekonomi. Performanca e dobët e të ardhurave nga kjo taksë sinjalizon për ecuri të ndrydhur të konsumit dhe aktivitetit ekonomik në vend ose rritje të informalitetit.

Pak ditë më parë, qeveria largoi nga detyra drejtorin e përgjithshëm të tatimeve, Enton Duro duke e zëvendësuar atë me Delina Ibrahimaj. Gjatë prezantimit të drejtoreshës së re, kryeministri Edi Rama kritikoi punën e tatimeve duke paralajmëruar një fushatë të re kundër informalitetit.

Ky është viti I dytë rresht që të ardhurat në buxhet rriten me ritme anemike në rangun e 2 apo 3 për qind. Kjo ecuri e dobët ka diktuar një politikë të shtrënguar në krahun e shpenzimeve, pasi për të mos cenuar uljen e borxhit qeveria ka shkurtuar shpenzimet për investime apo sektorët prioritarë të ekonomisë si arsimi dhe shëndetësia.

Top Channel