Mrikë Malësorja nga Peja pritet të bëhet femra më e re që do t’i ngjisë shtatë majat e maleve më të larta të shtatë kontinenteve, të njohura si seven summits.

17 vjeçarja rrugëtimin e saj e nisi në janarin e 2018-ës në majën më të lartë në Afrikë, Kilimanjaro për të mos u ndalur më. Bukuria që i ofroi natyra e një dimensioni tjetër, e frymëzoi Mrikën që kënaqësinë e njëjtë ta përjetojë edhe nga malet e tjera. Ajo vazhdoi në majën e Vinsonit, Aconcagua, për të arritur në atë të Everestit me prej 8848 metra i larte e për të përfunduar në Denali e Elbrus.

“Përvoja që mi ka jap të gjitha: frikën, kënaqësinë, vështirësinë, është maja e Everestit që është maja ma e lartë në botë, ajo më ka mësuar shumë. Me qenë në një vend më u rrotullu në 360 shkallë dhe mos me qenë kurrgjë ma e lartë se ti është një ndjenjë që shumë pak njerëz munden me përjetu”, thotë ajo.

Udhëtimet e saj bëhen bashkë me babain, Arianitin, i cili po përkujdeset që me majën e fundit Puncak Jaya apo e njohur si Piramida e Carstenszit, në Indonezi ta arrijë rekordin e udhëtimit prej 8 muajsh e gjysmë.

“Projekti është dashtë me u arrit në një kohë shumë të shkurtë, për shtatë muaj i kemi ngjit pesë majat ma të larta ma të vështira. Zakonisht njerëzit një maje në vit e ngjisin, por kemi arritur kemi qenë të përgatitur. Tani edhe majën e fundit do ta përfundojmë që Mrika ta arrijë qëllimin e saj”, thotë i ati.

Udhëtimi i Malësores nuk kishte qenë aspak i lehtë. Gjersa kishte ndjekur rrugët e majave, ajo kishte hasur edhe në kufoma të njerëzve, që fati i natyrës nuk kishte qenë me ta.

Top Channel