Qeveria shqiptare ka gjobitur kompaninë Bankers Petroleum me shifrën rekord 120 milionë euro për evazion të rëndë fiskal. Gjoba, e cila përbën dënimin më të madh financiar të vendosur ndonjëherë në Shqipëri është rezultat i një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Sipas hetimit, gjatë viteve 2014-2018, kompania Bankers Petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrime akcizë për lëndën e parë, që përdoret në prodhimin e naftës bruto. Bëhet fjalë akcizën e një karburanti gjysmë të gatshëm, i njohur me emrin solar, i cili përdoret për të holluar naftën bruto.

Në vitin 2014 qeveria shqiptare vendosi ta taksojë solarin me akcizë pasi dyshonte se ky produkt edhe pse deklarohej si lëndë e pare për prodhimin e naftës ishte duke u shitur në treg duke krijuar kështu një skemë gjigande evazioni.

Por edhe ndryshimi i ligjit nuk arriti ta mbyllë plotësisht skemën e evazionit dhe shkak u bë një vendim i Gjykatës Administrative në dhjetor të 2014-ës, i cili shfuqizoi dy akte administrative të doganave për të vjelë akcizën nga bankers.

Ky vendim duket se çoroditi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për disa vite rresht edhe pse Ministria e Financave këmbëngulte për vjeljen e taksave.

Në fund të 2016-ës ish-ministri i Financave përmes një letre i kërkoi zyrtarisht ish-drejtorësh së doganave, Belinda Ikonomi të zbatonte ligjin dhe të vilte detyrimin e holluesit nga bankers, pasi vendimi i Gjykatës Administrative për një çështje konkrete nuk mund të bllokonte zbatimin e ligjit.

Po kështu edhe ministrja teknike e Partisë Demokratike, Helga Vukaj ka kërkuar po të njëjtën gjë në korrik të vitit 2017.

Përplasjet mes shtetit dhe kompanisë duket se I hapën rrugë një hetimi të hollësishëm në vitin 2017, I cili ka vazhduar për gati dy vjet. Sipas këtij hetimi të kryer nga doganat, bankers petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro akcizë përmes solarit të prodhuar nga armo në rafinerinë e Ballshit.

Mbi këtë detyrim është zbatuar edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro sic parashikon ligji i procedurave duke e çuar shumën totale që duhet të paguajë kompanie në 120 milionë euro.

Top Channel