Top Talk/ Murrizi: Shtyrja e zgjedhjeve përtej 30 qershorit, antikushtetuese. Precedent rasti i Nishanit

12/06/2019 16:05

Parlamenti nesër do të diskutojë në seancën plenare një pr/rezolutë për zhbërjen e dekretit të Presidentit të Republikës, që përcaktonte 30 qershorin si datë për zhvillim e zgjedhjeve për pushtetin vendor në Shqipëri.

I ftuar në studion e Top Talk, deputeti Muslim Murrizi argumenton se çdo datë përtej 30 qershorit është anti-kushtetuese, e për këtë ai merr si precendent dekretin e Presidentit Nishani për shtyrjen me 1 javë të zgjedhjeve të 2017-s, pavarësisht kërkesës së opozitës për shtyrje me 2-3 javë.

“Presidenti ka disa kompetenca mes tyre dekretime e datës së zgjedhjeve lokale e zgjedhjeve qendrore, dekretet për qeverinë, dekretet për shef shtabi, dekrete për propozime që i drejtohen Kuvendit për disa institucione kushtetuese dhe dekorata. Çdekrete nuk ka. Fakti që ka bërë një dekret për dekretimin e 30 qershorit si dekretim është një eksperiment i pandodhur.

Po të shikosh edhe 2017-ën ish-presidenti Nishani nuk ka bërë çdekretim për dekretimin e datës së zgjedhjeve, por ka bërë njoftim për shtyrjen e një jave, brenda afatit Kushtetues që përcakton që zgjedhjet në Shqipëri bëhen në periudhën 15 mars-30 qershor.

Ai President që ishte në atë kohë, duke ditur që nuk kishte mundësi Kushtetuese për të bërë çdekretim të dekretit që kishte bërë iu kërkoi dy bajraktarëve të pronarëve të Kuvendit, Bashës dhe Ramës që u mbyllën me 17 maj në zyrën e Enverit gjithë natën, atë copë letër, atë shkresë që është në protokollin e Presidencës së Republikës. Partia Demokratike atë kohë kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve me 2-3 javë, por Presidenti i atëhershëm nuk pranoi sepse 25 qershori ishte e diela e fundit e qershorit.

Po të shtyheshin me 2 javë, zgjedhjet kalonin në korrik dhe shkelej afati i zgjedhjeve. Fati i zgjedhjeve në Shqipëri përcaktohet nga Kodi Zgjedhor. Kodi është pas Kushtetues, dhe është ligj i cilësuar. Prevalon mbi çdo ligj të thjeshtë, ku thitë se zgjedhjet në Shqipëri bëhen nga 15 marsi deri në 30 qershor. Për të mos e kapërcyer këtë afat, Presidenti i asaj kohe i caktoi zgjedhjet me 25 qershor 2017. Pati reagime nga brenda dhe jashtë dhe në fund u fitua 7 ditë kohë, që u afrua pastaj si konsensus”, tha Murrizi.

Top Channel