Kosova si asnjëherë më parë ka festuar çlirimin nga okupatori serb.

Mijëra njerëz qysh në orët e hershme kishin marrë rrugën drejt sheshit “Skënderbeu” me qëllimin e vetëm për të shprehur falënderimet ndaj Amerikës.

Me flamuj në duar ata prisnin ardhjen e dy personaliteteve kyçe, ish- presidentit Bill Clinton dhe ish- sekretares se shtetit, Medeleine Albright.

Albright tha se Kosova i është afruar ditës që të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në komunitetin euro atlantik.

“Kjo ka qenë një punë e madhe dhe qytetarët e Kosovës kanë arsye për të qenë krenar. Komuniteti ndërkombëtar gjithmonë do të shikojë nga afër progresin tuaj, në krijimin e një qeverie që ju shërben qytetarëve dhe në përkushtimin për demokraci. Nuk do të ju harrojmë asnjëherë por e ardhmja varet nga ju. Miqtë tuaj janë të bindur në suksesin tuaj”, tha Medeleine Albright.

79 ditët e sulmeve ajrore mund të kenë shënuar vetëm një fitore më tepër në luftën e trupave të NATO-së, por Kosova fitoi paqen u shpreh ish- presidenti Clinton.

“Ndihem krenar që kam ndihmuar në ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë dhe për lirinë e këtij shteti. 20 vjet pas ju keni bërë diçka të jashtëzakonshme, i keni dhënë një gjenerate jetën në paqe duke mos u kthyer pas në dhunë…Ajo çfarë dua është që secili i ri i këtij vendi të ketë mundësi të barabarta për të qëndruar këtu për të krijuar familje, të hap biznese dhe të krijojë të ardhmen këtu”, ka thënë Clinton.
Krejt në fund, nga zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Mathew Palmer, Kosovës ju premtua partneriteti mbështetës i SHBA-ve.

“Nuk ka kohë më të përshtatshme se tani për ta arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Greqia dhe Maqedonia Veriore së fundmi e arritën pajtimin. Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë dhe do të jenë shumë të ngushtë natyrisht të dyja vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të orientohen nga stabiliteti dhe përparimi”, ka thënë Palmer.

Përveç dekorimit me Urdhrin e Lirisë nga presidenti, Hashim Thaçi, ish- sekretares i është ngritur edhe një bust, ndërsa ish- presidentit, pllaka e bulevardit pranë shtatores së Clinton.

Festimeve të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ju është bashkangjitur edhe ish- gjenerali i NATO-së, Wesley Clark.

Top Channel