Investimet huaja direkte u rritën me 1.6 për qind në tremujorin e parë të vitit, teksa kompanitë e huaja kanë vijuar të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në bilancin e pagesave.

Sipas Bankës, për periudhën janar-mars të këtij viti, investimet e huaja në ekonominë shqiptare ishin 285.6 milionë euro, nga 281 milionë euro që ishin në tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të detajuara, pjesa dërrmuese e këtyre investimeve, rreth 190 milionë euro, kanë qenë fonde kapitalesh të ardhura rishtas nga jashtë. Pjesa tjetër përbehet nga fitimet e riinvestura të kompanive të huaja që janë aktualisht prezent në Shqipëri dhe marrëdhëniet e borxhit.

Prej disa vitesh investimet e huaja në ekonominë shqiptare kanë qëndruar në nivele të larta. Rekordi historik u shënua vitin e kaluar kur kompanitë e huaja investuan 1 miliardë e 21 milionë euro në ekonominë shqiptare.

Por shifra e lartë e investimeve të huaja, maskon një dobësi të thellë strukturore. Vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre, kanë shkuar në sektorin e manifakturës, i cili zgjeron bazën prodhuese të ekonomisë dhe rrit punësimin.

Të dhënat e detajuara tregojnë se pjesa dërrmuese e investimeve nga jashtë përqendrohen vetëm në katër sektorë, që janë; energjia, industria nxjerrëse, pasuritë e patundshme dhe sektori financiar. Investimet në këto sektorë kanë një impakt më të ulët në rritjen e produktivitetit dhe punësimit, duke kufizuar ndjeshëm përfitimet që merr ekonomia kombëtare dhe qytetarët.

Top Channel