Të martën është zhvilluar etapa e dytë e Turit të 76 ndërkombëtar Çiklistik të Shqipërisë, me itinerarin Shkodër-Elbasan, të gjatë 189.2 km.

Etapa rezultoi pa probleme, teksa asnjë çiklist nuk krijoi distancë me të tjerët dhe një grup ishte ai që preu i pari vijën e “finish”-it në qendër të qytetit të Elbasanit.

Fituesi i etapës u përcaktua nga “fotofinish”-i dhe ai ishte italiani Samuele Zanbelli, me kohën 4 orë, 28 minuta dhe 14 sekonda. Pas tij u renditën Mirko Sartori dhe Lorenzo Kataldo, edhe këta nga Italia.

Presidenti i Federatës shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, në fund të etapës shfaqi shqetësim për mungesën e policisë në momentin e mbërritjes së garuesve.

“U zhvillua një garë shumë e bukur, por mbërritja në qytetin e Elbasanit nuk u shoqërua me masa nga policia. Më vjen keq për këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, ku marrin pjesë 13-14 ekipe të huaja europiane, që bëhet një mbërritje e tillë. Më vjen edhe zor nga vetja”, tha Skënder Anxhaku, president i FSHÇ-së.

Pas dy etapave të para, renditja e përgjithshme e Turit të Shqipërisë kryesohet nga Ylber Sefa, që nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij.

“Kjo është një fitore që rrallë vjen për ekipin tonë. Shpresoj që ta ruaj fanellën e verdhë deri në fund, sigurisht me ndihmën e ekipit”, tha çiklisti Ylber Sefa.

Turi i 76 i Shqipërisë do të vijojë me etapat Elbasan-Vlorë, Vlorë-Sarandë dhe do të mbyllet me Sarandë-Fier.

Top Channel