CSKA-ja e Moskës është shpallur kampione e Europës në basketboll për meshkuj. Skuadra ruse, që kthehej në finalet e “Euroleague” pas 3 vitesh, arriti të mposhtë ekipin turk, Anadolu Efes, me rezultatin 91-83, duke ngritur trofeun e turneut.

Ndërkohë, Will Clyburn u shpall lojtari më i mirë i “Final Four”. Për Anadolunë, arritja në finalen e “Euroleague” është rezultati më i mirë, po të mendosh që vitin e kaluar skuadra turke e mbylli sezonin e rregullt në vendin e fundit.

Sfida e zhvilluar në Vitoria u karaktertizua nga ekuilibri, por në fund ishte CSKA-ja, ajo që mori maksimumin. Skuadra ruse arriti të kryesojë në fundin e periodës së parë deri në 34-20, por turqit e Anadolusë iu kundërpërgjigjën falë Shane Larkin, që e mbylli këtë ndeshje me 29 pikë. Në fillimin e periodës së tretë, turqit arritën të marrin edhe kryesimin në 45-44.

CSKA-ja, megjithatë, nuk u dorëzua dhe kur kishin mbetur 1 minutë e 50 sekonda nga fundi i 10-minutëshit të tretë e pa veten të kryesojë 68-54.

Anadolu, nga ana e tij, u pëgjigj me një rezultat të pjesshëm 8-0 për t’i qëndruar pranë skuadrës ruse për të gjithë pjesën e mbetur të ndeshjes, por me sa duket kjo nuk i mjaftoi Efesit, pasi CSKA-ja rezistoi dhe në fund festoi titullin kampion të Europës.

Top Channel