Ata nuk janë turistë të thjeshtë që vizitojnë Tiranën. Përballja me arkitekturën e veçantë të stilit fiorentin i bën ata të përjetojnë emocione të papërshkrueshme.

Ata janë mbesa dhe stërnipërit e atij që ideoi planin rregullues të Tiranës shumë vite më parë. Janë të afërmit e krijuesit të kryeqytetit shqiptar, në kohën kur Shqipëria do të pushtohej nga italianët.

Përveç planeve urbanistike të disa qyteteve kryesore shqiptare, si Shkodra, Durrësi, Elbasani, Berati, Korça, Vlora dhe Saranda, Gherardo Bosio është arkitekti i Akademisë së Arteve, Korpusit Universitar, kolonadës së Institutit Arkeologjik, Kryeministrisë, Hotel Dajtit dhe Pallatit të Brigadave.

“Për mua janë ditë me shumë emocion. Kam studiuar figurën e gjyshit tim dhe jam rritur me dizenjot në letër që kemi pasur në arkiv në shtëpi. Të jesh këtu, të shohësh nga afër të gjithë ato dizenjo, që janë realizuar me aq pasion që ai ka pasur, është e papërshkrueshme. Është një krenari e madhe. Tani ua tregoj edhe fëmijëve të mi, atë që gjyshi im ka bërë në Tiranë”, tha Marie Luo Busi, mbesa.

Për t’u njohur me veprat e të gjyshit, Mari Luo ka sjellë edhe fëmijët e saj.

“Kemi mbetur me gojëhapur kur kemi parë atë që stërgjyshi ka realizuar në Tiranë”, tha Federico Busi.

“Na ka folur gjithmonë nëna për dizenjot dhe të vish t’i shikosh të realizuara është shumë interesante”, tha Margherita Busi.

Pallati i Brigadave dhe i gjithë arredimi është bërë nga arkitekti Bosio dhe ky është një tjetër emocion për familjen fiorentine që ka vizituar Tiranën këto ditë.

“Kemi drekuar në sallën e ngrënies, të cilën gjyshi e ka arreduar. Madje të gjitha gotat, pjatat janë sjellë nga gjyshi nga Italia. Gjithçka është dizenjuar prej tij. Po kështu, copat janë përzgjedhur në bashkëpunim me gjyshen time. Ishte një mrekulli”, tha Marie Luo Busi.

Teksa do të lënë Tiranën të premten, stërnipërit e Bosios thonë se do të rikthehen bashkë me miqtë e tyre, për të treguar atë çfarë ka realizuar stërgjyshi i tyre në kryeqytetin shqiptar.

Top Channel