Yllka me punën e saj pika pika po arrin ta sigurojë vetë terapinë e saj. Ajo është 13 vjeçare dhe vuan nga Fibroza Cistike.

Por, përkushtimi i përditshëm në piktura po ia lehtëson trajtimin. Yllka po arrin që t’i shesë pikturat me qëllim të blerjes së barnave, kostoja e të cilave brenda muajit është mbi 1 mijë euro.

E ëma Lindita tregon se më të vështirë trajtimin përveç kostos ia bënë mos gjetja e barnave në Kosovë.

Në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, personat e prekur nga fibroza cistike nuk mund të trajtohen me asnjë lloj medikamenti pasi lista esenciale e barnave nuk i përfshin këto medikamente dhe e njëjta nuk është ndryshuar prej shtatë vjetësh.

Numri i pacientëve të prekur me këtë sëmundje është rritur në Kosovë. Nga 100 pacientë sa ishin në vitin 2017, numri i tyre në vitin 2019 ka kaluar në 115.

Kryetari i Shoqatës për Fibrozë Cistike tregon se kanë kërkuar ndihmë në disa institucione. Fibroza Cistike është sëmundje gjenetike e pashërueshme që shkakton infeksione të mushkërive duke vështirësuar frymëmarrjen.

Në 10 mijë fëmijë të lindur në botë, katër prej tyre lindin me Fibrozë Cistike.

Top Channel