Lind pyetja se kush e vrau Admir Murataj?

“Nuk e di kush e ka vrarë. Vrasja është e panjohur për sa kohë nuk është mbyllur hetimi”, thotë Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm.

Në dosjen hetimore, nuk jepen detaje se si është vrarë Murataj. Aty thjesht sqarohet se në vendngjarje është gjetur një person i vdekur, i paidentifikuar fillimisht.

Për të hedhur më shumë dritë, Top Story iu drejtua sërish vendngjarjes për të bërë një ballafaqim dhe analizë të fakteve. Kjo është fotoja e trupit të pajetë në momentin që u gjet nga policia ku viktima është ende me maskë. Admiri, kishte marrë një plumb kallashnikovi në syrin e djathtë, që i ka dalë në pjesën e pasme të kokës.

Fytyra e Admirit është në krahun e shokëve grabitës dhe në pamje të parë, plumbi duket se ka ardhur nga ai drejtim.

Në këtë foto tjetër, që ne e publikojmë të censuruar, duket dëmtimi tepër i rëndë i kokës në pjesën e pasme.

Në vendngjarje, na është bashkuar edhe ish-drejtuesi i policisë Mitat Havari.

Si një ekspert në fushën e kriminalistikës, Havari përjashton mundësinë që Admiri të jetë vrarë nga policia. Dhe këtu rindërtohet sërish skenari i krimit.

“E para që unë e përjashtoj mundësinë e shkëmbimit të zjarrit, kjo do ndodhte më para, polcia ka aq djem që do shponte gomat ti spostonte”, tha Mitat Havari.

“Nga dëshmitë e pjestërave të policisë rezulton që nuk ka pasur një sulm drejt tyre pasi nuk ka asnjë predhë në furgonin e policisë. Përderisa nuk ka shenja, asnjë polic s’është lënduar, këtë pjesë këtu unë e quaj imagjinare, pastaj vijmë te vendi ngjarjes, është kthyer furgoni, bllokuar, policia nuk sheh gjë, është totalisht e bllokuar. Bie si version, ska shenja. Në qoftë se banditët do vendosnin makinën hetimi tatimor, ishte bllokuar rruga, imagjinojmë se policia ka qenë atje, ska pasur sheshpamje, viktima bie aty, gjë që bie poshtë, ska qenë policia që e ka vrarë, kanë qenë vetë grabitësit ekzekutorët”, tha Mitat Havari.

Kodrina që ndodhet këtu pengon fushëpamjen drejt vendit ku ndodhet trupi i Admirit.

Top Channel