NBA, Raptors, 76-ers e Blazers në fazën tjetër të “playoff”. Lillard, trepikësh jashtëtokësori (Video)

24/04/2019 10:22

Përcaktohen edhe tri skuadra të tjera në NBA që kualifikohen në fazën tjetër të “playoff”-it. Toronto Raptors, Philadelphia 76ers dhe Portland Trail Blazers do të vazhdojnë ëndrrën për unazën e kampionit në basketbollin amerikan.

Raptors e mbyllën në sfidën e pestë serinë me Orlando Magic (4-1), duke iu imponuar me rezultatin 115-96. Shkëlqyen për ekipin kanadez Kawhi Leonard dhe Pascal Siakam, që realizuan respektivisht 27 dhe 24 pikë.

Në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes Raptors do të përballen me Philadelphia 76ers, që me suksesin 122-100 ndaj Brooklyn Nets siguruan kualifikimin, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1. Një përballje pa shumë histori kjo e “Wells Fargo Center” të Philadelphias, ku statistikat më të mira i kishte Joel Embiid: 23 pikë e 13 topa në tabelë.

Verdikti i fundit u dha në Konferencën e Perëndimit, ku Portland Trail Blazers kaluan në raundin tjetër, pasi mposhëtn 118-115 Oklahoma City Thunder, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1. Paraqitje prej jashtëtokësori e Damian Lillard (rekord personal në play off), që shënoi plot 50 pikë. Vendimtar në fitoren e skuadrës së tij, pasi realizoi trepikëshin e fundit nga një largësi prej 11 metrash.

Në gjysmëfinale të Perëndimit Blazers do të përballen me fituesin e çiftit Denver Nuggets – San Antonio Spurs. “Në Pepsi Center” të Denverit, skuadra nga Colorado triumfoi 108-90 me teksanët, duke marrë kryesimin e serisë me rezultatin 3-2. Plot 6 basketbollistë të Nuggets arritën numër dyshifror pikësh, të udhëhequr nga Jamal Murray me 23 pikë, ndërsa Will Barton shtoi edhe 17 pikë të tjera.

Top Channel