Zgjedhjet në Indonezi, gjithçka për të tërhequr votuesit

18/04/2019 10:46

Në zgjedhjet në Indonezi, zyrtarët në të gjithë vendin, po provojnë gjithçka për të tërhequr zgjedhësit në procesin një ditor, në përpjekje për të rritur pjesëmarrjen. Në një qendër votimi, në qytetin e dytë më të madh në vend, zyrtarët, veshën madje kostume superheronjsh, për të joshur votuesit.

“Kostumet e superheronjve, ose siç njihen hakmarrësve, janë zgjedhur për të motivuar votuesit e rinj, veçanërisht ata që votojnë për herë të parë, që ndoshta kanë qenë të frikësuar apo kanë hezituar. Kjo me qëllim që ata edhe të argëtohen. Në anën tjetër, edhe për të motivuar zyrtarët e zgjedhjeve për t’i shërbyer votuesve ashtu si këto karaktere bëjnë”, thotë Andililo.

Në të tjera qendra votimi, zyrtarët janë veshur madje edhe si Drakula apo si Mumje, me qëllim bërjen e procesit më argëtues.  Madje me qëllim rritjen e pjesëmarrjes, disa dyqane në Jakarta kanë ofruar edhe ulje çmimesh për ata që votojnë. Ndërsa disa restorante ofrojnë ushqim falas për ata që kanë shenjën në gisht që tregon se kanë votuar.

Për t`u veçuar është edhe Sumatra, ku zyrtarët, përdorën edhe tre elefantë sumatranë që konsiderohen në rrezik zhdukje, për të tërhequr zgjedhësit e në të njëjtën kohë edhe për të ndërgjegjësuar popullatën për numrin në rënie të tyre në natyrë. Elefantët u përdorën për të transportuar kutitë dhe fletët e votimit nëpër qendra, kryesisht për të argëtuar banorët lokalë.

Top Channel