Pronari i kampionëve të NFL, New England Patriots, Robert Kraft është në telashe.

Biznesmeni 77-vjeçar, një mik i Presidentit amerikan Donald Trump, është arrestuar nga policia në Florida për favorizim të prostitucionit. Sipas policisë amerikane, Kraft kërkoi kryerjen e raporteve seksuale me një prostitutë, sigurisht në këmbim të pagesës, gjatë qëndrimit të tij në një qendër spa në qytetin Jupiter, në Florida.

Sipas deklaratës së shefit të policisë, Daniel Kerr, Robert Kraft ishte në qendër të hetimeve që po kryheshin prej 8 muajsh. Por jo vetëm kaq, policia bën të ditur se janë lëshuar edhe 200 urdhër-arreste, shifër kjo që pritet të rritet.

Ndërkohë, një zëdhënës i Robert Kraftit i mohoi akuzat e ngritura ndaj biznesmenit, duke mos bërë komente të tjera në lidhje me këtë histori.

Robert Kraft e bleu New England Patriots në vitin 1994. Nën drejtimin e tij, skuadra nga Bostoni ka arritur të luajë në 10 finale të Super Bowl, mes të cilave edhe ajo e këtij viti me Los Angeles Rams, duke fituar 6 tituj. Por jo vetëm kaq, Kraft zotëron edhe skuadrën e bejsbollit New England Revolution.

Sipas revistës prestigjioze amerikane “Forbes”, pasuria e Robert Kraftit vlerësohet në 6,6 miliardë dollarë, që e pozicionon atë mes 400 personave më të pasur në botë për vitin 2018.

Top Channel