Nisma e qeverisë për të krijuar një korporatë shtetërore investimesh është pritur me skepticizëm nga ekspertët.

“Defekti thelbësor i të gjithë kompanive shtetërore në Shqipëri është mungesa e disiplinës dhe respektimi i atyre që janë standardet e qeverisjes së mirë. pasojat ekonomike që kanë prodhuar të gjithë korporatat shtetërore sic dihet kanë qenë thellësish negative. nga kjo pikëpamje nuk gjykoj që kjo do të ishte një praktikë e rekomandueshme për Shqipërinë”, shprehet Selami Xhepa.

Sipas një projektligji që ministria e financave ka hedhur për konsultim, korporata shtetërore e investimeve do të menaxhoj të gjithë pronat publike duke patur të drejtën të hyjë në marrëdhënie me privatët për ti zhvilluar ato. Por përveç kësaj ajo do të ketë dhe atribute të marr kredi nga bankat vendase ose të huaja për të financuar investimet publike. Sipas Selami Xhepës kjo është e rrezikshme.

“Do të krijohej borxh ekstrabuxhetor, n.q.s korporata do hynë në marrëdhënie me sistemin bankar vendas mund të krijonte probleme për të transmetuar këto efekte në sistemin tonë të brendshëm bankar dhe për pasojë efekti i kësaj banke në zhvillimin e pronës shtetërore do të ishte më shumë i dëmshëm se do ta ndihmonte”, tha Selami Xhepa.

Por pika më e debatueshme e draftit është se edhe pse do të jetë shtetërore, korporata e investimeve nuk do i bindet ligjit të prokurimeve publike, por do të qeveriset si një kompani private.

Projekt-ligji që krijon korporatën e investimeve është në fazë konsultimi dhe ende nuk është miratuar në qeveri. Por nisma ka shkaktuar jo pak debate publike, ku zërat më kritikë e cilësojnë si një skemë për të tjetërsuar pronën publike dhe për të krijuar llogari jashtë buxhetit që rrezikojnë financat e shtetit.

Top Channel