Epoka e digjitalizimit ka sjellë shumë risi inovative në të mirë të njerëzimit, por gjithashtu edhe një problem tejet madhor, siç është disinformimi. Pikërisht për këtë, një ekip i BBC-së është përpjekur të hulumtojë, në kërkim të gjetjes së një informacioni të besueshëm e të bazuar në vazhdën e nevojës për të luftuar të ashtuquajturën “fake news”.
“Dy javë më parë, isha i ulur në një lokal të pandriçuar mirë, në një qytezë të vogël rreth një orë me makinë larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Përpara meje, një person shfaqej i kërrusur dhe tejet nervoz, e përpiqej gjithnjë t’i shmangej kameras”, kështu e nis rrëfimin e tij për BBC-në, gazetari Carl Miller.
Ai zbulon se personi përballë tij ishte një tregtar i lajmeve të rreme, siç edhe e kishte pranuar nën zë, por që më në fund kishte pranuar të fliste për të, në mënyrë që t’i tregonte mbi fitimet për të jetuar.
“Për herë të parë erdha në Kosovë një vit më parë, vet pa kamerat e BBC-së, për të hulumtuar mbi një libër që fliste për ndryshimin e pushtetit në epokën digjitale. Kisha dëgjuar për fushatat e errëta për influencë nga Rusia, apo ushtarakë që luftonin ndaj sulmeve kibernetike në kërkim të informacionit. Por, njerëzit me të cilët u takova, më thanë se arsyeja përse njerëzit dërgonin lajme false dhe tejet të ndjeshme ndaj audiencave perëndimore ishte krejt tjetër dhe shumë e thjeshtë. Gjithçka bëhej për parà! Ata përhapnin lajme të tilla, sepse ne i klikojmë ato”, shkruan gazetari në publikimin e fundjavës në BBC.
“Clickbait” dhe “fake news” janë terma që shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë për të përshkruar një material fals apo të ndjeshëm që qarkullon në rrjetin ndërkombëtar, internet.
“Një vit më parë, Burimi më tregoi se disinformimi ishte një industri në lulëzim. Disa prej gjërave që ai më përshkroi ishin me natyrë politike, ndërsa disa të tjera edhe më të rëndomta e të këqija”, thotë gazetari britanik.
E në fakt, disa prej këtyre titujve janë bërë të zakonshme, e shumëkush prej nesh mund të jetë ndeshur një herë të vetme në rrjetet sociale me to. Tituj bombastikë, disa horror, apo edhe fantashkencë. “Djali del nga koma pas 12 vitesh, pëshpërit sekrete të errëta ndaj prindërve (video)”, është njëri prej titujve të përmendur prej tij.
Shumëçka brenda saj ishte false dhe, pavarësisht se për disa mund edhe të dukej si një lajm, ky artikull është një përmbajtje me vetëm një qëllim të qartë: rrëmbimin e klikimeve.
Të bësh parà nga interneti nënkupton të rrëmbesh vëmendjen e audiencave dhe tregtarët me të cilët ka komunikuar gazetari britanik zotërojnë dhjetëra faqe në Facebook, të dedikuara ndaj shumëçkaje, që nga krishtërimi ungjillor e deri te destinacionet turistike.
Çfarëdolloj gjëje të publikojnë ata, audienca mbetet e lartë: 90 mijë pëlqime, 240 mijë pëlqime, 26 mijë pëlqime…
“Burimi mundi që përmbajtjen e tij ta çonte në afro një milion sy dhe klikimet arriti t’i konvertonte në të ardhura nga reklamat, qoftë brenda platformave të medieve sociale, ashtu dhe në faqe të jashtme. Ai fitoi rreth 600 euro në ditë. Sigurisht, bëhet fjalë për një shumë të hollash shumë herë më të lartë sesa punët legjitime që mund të kërkonte në treg”, rrëfen më tej gazetari britanik.
Por, që prej vitit të kaluar, kur britaniku arriti të takohej me Burimin, gjigantët e teknologjisë janë zotuar t’i japin fund kësaj industrie. “Fake neës” është pikërisht ajo që Mark Zuckerberg e ka quajtur “sfidën e tij personale”.
Gjatë këtij viti 2018, Facebook ka dyfishuar ekipin e tij të sigurisë në rreth 20 mijë persona, ndërsa ka mbyllur qindra grupe dhe faqe që shpërndanin materiale thjesht për klikime, duke e kthyer përmbajtjen e tyre në thuajse “të padukshme”.
“Ndaj, muajin e kaluar u riktheva në Kosovë, këtë herë me kamerat e BBC-së. Doja të shihja se çfarë kishte ndryshuar dhe sesi kishte ndikuar qasja kundër lajmeve të rreme e Facebookut reflektohej në sytë e njerëzve që merreshin me të tilla gjëra. Audienca e faqes është kryesisht britanike, më tha personi i intervistuar duke qeshur, e madje duke ulur kokën në telefonin e tij në mënyrë që kamera të mos e kapte nga fytyra”.
Sipas rrëfimit të gazetarit, është vështirë të thuhet sesa e fuqishme ka qenë kjo ekonomi e paligjshme në të kaluarën. Por, reformat e Facebookut kanë pasur efektin e tyre dhe, mbyllje pas mbylljeje e faqeve, është arritur deri aty sa të ardhurat ditore të këtyre tregtarëve të zbresin nga 600 euro në ditë, në rreth 100 euro.
Ndaj, përhapja e “lajmeve të rreme” është bërë më pak përfituese, e ndoshta edhe më pak politike. Tashmë është kaluar në publicitete ekstravagante ndaj personave të famshëm, apo histori të rreme mbi futbollistët që thyejnë këmbët apo që janë përfshirë në afera seksuale. Pra, krijuesit e këtyre përmbajtjeve shpërndanin gjëra të vogla e të parëndësishme, e jo informacione rreth Trumpit.
“E megjithatë, pavarësisht të ardhurave më të pakta, praktika vijon të jetë e përhapur. Rreth 40 për qind e të rinjve kosovarë merren pikërisht me këtë, më rrëfeu një tregtar i tillë, duke grumbulluar mijëra e mijëra klikime. Kjo sepse, edhe 100 euro në ditë është sërish sfiduese për dikë që më parë ka bërë rolin e kamerierit me 7 euro dita”, thotë më tej gazetari hulumtues britanik.
Top Channel