Taksa produkteve serbe, “Lista Serbe”: Mbështesim çdo përpjekje për rrëzimin e qeverisë

09/11/2018 17:45

“Lista Serbe” deklaroi se do të mbështesë çdo përpjekje për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës. Qëndrimi i subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës u bë publik përmes një deklarate, e cila ishte shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të ekzekutivit kosovar për t’u vënë taksa shtesë prodhimeve nga Serbia.

Kjo lëvizje vet ishte një kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por edhe – siç thuhet, – përzierjes së saj në punët e brendshme të Kosovës.

Në deklaratën e cituar nga “Zëri i Amerikës” kërkohet që të hiqen “menjëherë masat e dëmshme dhe tatimore prej 10 për qind për mallrat nga Serbia qendrore, të miratuara nga Qeveria në Prishtinë, dhe se më të drejtpërdrejtë kërcënohet mbijetesa e serbëve në Kosovë duke rritur çmimet e ushqimeve bazë”, ndërsa theksohet se kjo listë nuk do ta mbështesë më Qeverinë e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, “Lista Serbe” e bëri të qartë se do të përkrahë çdo propozim për të rrëzuar qeverinë, ndërsa paralajmëroi edhe protesta paqësore nëse masat e Prishtinës nuk tërhiqen.

“Serbët e Kosovës nuk mund dhe nuk duan të jenë peng i përfaqësuesve të papërgjegjshëm shqiptarë dhe luftës demagogjike dhe kapriçoze për mbijetesën e tyre politike”, theksohet në njoftim.

Edhe zyrtarët e Bashkimit Europian kanë bërë thirrje për heqjen e taksës, që sipas Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, po dëmton edhe bashkëpunimin rajonal.

Serbia ka paralajmëruar se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh, për sa kohë vendimi i Prishtinës nuk tërhiqet. Ndërkohë, zyrtarët kosovarë argumentojnë se paratë që Serbia është duke fituar në Kosovë po i përdor në fushatën e saj për të dëmtuar pikërisht shtetësinë e Kosovës.

Top Channel