UEFA ka ndihmuar Paris SG dhe Manchester City të arrinin brenda kuadrit të rregullorës së “Fair Play”-t financiar. Ky është zbulimi më i fundit i hetimit të mbiquajtur “Football Leaks”, publikuar pikërisht këtë të premte.
Sipas investigimit të “mbi 70 milionë dokumenteve” të analizuara “përgjatë 8 muajve nga 80 gazetarë” nga anëtarët e “Bashkëpunëtorët Investigativë Europianë” (EIC), UEFA ndihmoi me vetëdije klubet që të mbulonin parregullsitë e tyre për “arsye politike”.
Të dyja klubet, të zotëruara dhe të financuara me fonde nga Katari dhe Abu Dhabi respektivisht, kanë shmangur ndëshkimin më të rëndë që jepet nga “Fair Play” financiar, apo përjashtimin nga turneu i Champions League. E gjitha kjo, pavarësisht përdorimit të “parave të ndaluara” për të rritur buxhetet e tyre, sipas hetimit në fjalë.
“Football Leaks” pretendon se Katari dhe Abu Dhabi së bashku “kanë injektuar rreth 4.5 miliardë euro në 7 vitet e fundit” për të rritur buxhetet e klubeve që zotërojnë ato. Nga kjo shifër, 2.7 miliardë euro janë derdhur për Cityn, përmes pronarëve nga Abu Dhabi dhe nga marrëveshjet sponsorizuese që pretendohet se janë “të mbivlerësuara”.
Rregullorja e UEFA-s thekson se klubet nuk mund të shpenzojnë më shumë parà nga sa fitojnë në një edicion të caktuar dhe se deficitet duhet të bien nën limitin prej 30 mln eurosh në 3 edicionet e fundit. PSG-ja dhe City, ndërkohë, u gjobitën që të dyja me nga 60 milionë euro nga UEFA në maj të vitit 2014, e që të dyjave iu la opsioni që të mund të tërhiqnin mbrapsht 40 mln euro, nëse iu përmbaheshin kushteve të marrëveshjeve të fajësisë.
Faqja investigative franceze e internetit, “Mediapart” pretendon se Gianni Infantino, presidenti aktual i FIFA-s që ishte asokohe Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s, “ka negociuar drejtpërdrejt një marrëveshje me Manchester Cityn” duke anashkaluar kështu Panelin e Kontrollit Financiar, pjesë e trupës qeverisëse të futbollit europian, UEFA.
I përfshirë në kopjet e “e-mail”-eve të dërguara nga Infantino për kreun e Cityt, Khaldoon Al Mubarak, është edhe Nicolas Sarkozy, ish-presidenti francez që njihet si tifoz i Parisit, i cili ka ndihmuar përmes reputacionit të tij pronarët nga Abu Dhabi të Cityt në përpjekjet e tyre për t’iu përmbajtur rregullave të “Fair Play”-t financiar.
I pyetur për një reagim nga “Mediapart”, City njoftoi se “përpjekja për të dëmtuar reputacionin e klubit është e organizuar dhe më se e qartë”.
Parisi reagoi përmes një deklarate, ku thuhet se “klubi gjithnjë u është përmbajtur rregullave dhe ligjeve në fuqi, e mohon me forcë pretendimet e publikuara sot nga Mediapart”.
Ndërkohë, Platini u shpreh se rregullat e prezantuara prej tij të “FFP”-së nuk u krijuan “për të vrarë apo mbytur financiarisht klubet”, edhe pse ai gjithmonë ka kërkuar që ndëshkimet të jepeshin kur kishte shkelje.
Top Channel