Rezolutat dhe platformat për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë detyruese për asnjë institucion, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata rikujtojnë se në vendet demokratike janë ligjet dhe Kushtetuta që duhet të respektohen. Të tilla janë propozuar nga të gjitha partitë parlamentare, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, por deri më tani asnjë propozim nuk e ka marrë miratimin e Kuvendit. Kjo vjen si pasojë e mungesës së konsensusit dhe unitetit politik.

Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi tha për Radion Europa e Lirë se rezoluta është një formë e thjeshtë e konstatimit, pa ndonjë fuqi ligjore, ndërsa platforma është e ngjashme, por të paktën e qartëson dhe është më gjithëpërfshirëse.

Kjo e fundit, në krahasim me rezolutën ka një peshë pak më të madhe si mandat politik, që e cakton një lloj kornize, por, siç thotë Maliqi, nuk ka detyrimisht ndonjë fuqi të ndjeshme.

Një ditë më parë, Parlamenti i Kosovës dështoi të harmonizonte rezolutën për dialogun me Serbinë. Deputetët kishin përpara një rezolutë të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nismën me 6 pika nga PDK. Drafti i LDK-së në opozitë kërkon që Presidentit Hashim Thaçi të mos i lejohet të negociojë me Serbinë çështjen e kufijve të Kosovës. Të njëjtën rezolutë, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që t’i shtohen edhe 6 pika.

Por, gjuha e përbashkët nuk u arrit të gjendej as në këtë rast.

Top Channel