Libri që kritikon ashpër Trumpin dhe administratën e tij

05/09/2018 11:04

Një tjetër libër e ka vendosur në shënjestër presidentin Donald Trump dhe administratën e tij.

Autori Bob Woodward e përshkruan shefin e Shtëpisë së Bardhë si “injorant deri në rrezikshmëri ndaj çështjeve botërore”, ndërsa administratën si “jofunksionale dhe të përfshirë nga mosmarrëveshjet e brendshme”.

Libri me titull “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë” bazohet në qindra orë intervista me figura të dorës së parë në Presidencën tashmë 20-mujore të republikanit miliarder.

Lexo edhe:
“Trump donte të vriste presidentin sirian”

Vet presidenti nuk e la gjatë pa reaguar. Krijimin e Woodwardit, ai e quajti “një mashtrim për publikun”, “patetik” dhe “fantazi të pastër”.

Gazetari citon aty këshilltarë të lartë të Trumpit të pohojnë se i kanë fshehur kreut të shtetit dokumente të rëndësishme, që ai të mos i firmoste. Disa – sipas tij, – e quajnë “idiot” dhe “gënjeshtar”.

Sa për administratën, atë e përshkruan si kaotike, dhe drejtuesit ekzekutivë si “të shkatërruar nga nervat”.

Zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë, – thuhet mes të tjerash, – flasin me përçmim për Trumpin, të cilin e shohin si njeri që nuk e çan kokën se veprimet e tij mund të rrezikojnë sigurinë botërore.

Woodward është një gazetar veteran i respektuar, i cili ndihmoi në zbulimin e rolit të presidentit Richard Nixon në skandalin “Watergate” në vitet ’70, megjithatë për Trumpin ai ka probleme të thella besueshmërie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA