Presidenti amerikan Donald Trump e donte të vdekur homologun e tij sirian, Bashar al-Assad, gjatë vitit të kaluar, por Sekretari i tij i Mbrojtjes e injoroi kërkesën.
Kjo është ajo që zbulohet nga një libër i ri, i cili i përshkruan ndihmësit e tij më të lartë si neglizhentë ndonjëherë ndaj udhëzimeve të tij, për të kufizuar atë çfarë ata konsideronin si sjellje shkatërruese dhe të rrezikshme të shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Pasazhe nga libri i titulluar “Frika”, i shkruar nga reporteri i famshëm i “Watergate”, Bob Woodward, u publikuan këtë të martë nga “Washington Post”. Libri, i cili ende nuk është botuar, është i fundit që detajon tensionet brenda Shtëpisë së Bardhë nën presidencën 20-mujorshe të Trumpit.
Ai e portretizon Trumpin si të prirur ndaj shpërthimeve profane dhe vendimmarrjes impulsive, duke sjellë një panoramë kaosi që Woodward thotë se përbën një “grusht shteti administrativ” dhe një “ndarje nervoze” të ekzekutivit.
Sipas librit, Trump i tha Sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis, se dëshironte të vriste Assadin, pasi presidenti sirian ndërmori një sulm me armë kimike ndaj civilëve në prill të vitit 2017.
Mattis i ishte përgjigjur Trumpit se “do të kujdesej personalisht për këtë”, por ndërkohë hartoi planin për një sulm ajror të kufizuar që nuk kërcënonte aspak Assadin në vetvete. Madje, sipas librit, Mattis u kishte thënë ndihmësve të tij pas një incidenti tjetër se Trump kishte vepruar si një shkollar.
Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur një kërkese për koment mbi këtë temë apo aspekte të tjera të pasazheve të librit, ndërsa Pentagoni refuzoi të komentonte.
Woodward, i cili fitoi famë kombëtare pas raportimit të skandalit “Watergate” në vitet ’70, ka folur me ndihmësit më të lartë të presidentit për të shkruar librin, me kushtin që të mos zbulonte mënyrën sesi i siguroi informacionet, thekson më tej “Washington Post”.
Ndër zbulimet e tjera të librit është edhe fakti që ndihmës të tjerë e kanë ofenduar Trumpin pas shpine. Shefi i stafit, John Kelly e ka quajtur atë “idiot” dhe është shprehur dikur se “jemi në një qytet të çmendur… Kjo është puna më e keqe që më kanë ngarkuar ndonjëherë”.
Sipas librit, Trump i ka trajtuar me përbuzje ndihmësit e tij kryesorë, teksa i është hakërryer Sekretarit të Tregtisë, Wilbur Ross se e kishte humbur besimin, apo duke quajtur kryeprokurorin e përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions “të vonuar mendërisht”.
Top Channel