Itali, tragjedi në kanion; 10 ekskursionistë të vdekur, 3 të zhdukur

21/08/2018 08:42

Në Itali, tragjeditë nuk po kanë të ndalur. Të paktën 10 ekskursionistë kanë humbur jetën në grykat e Raganelos në Civita, të Kozencës, në parkun e Polinos, pas shirave të rrëmbyeshëm që shkaktuan një rritje të papritur të nivelit të ujit.

Dy trupat e fundit të pajetë, që i shtohen atyre të katër femrave dhe katër burrave të gjetur më herët, janë gjetur në një largësi prej tre km nga pika ku ishin gjendur në vështirësi. Pesë mbeten akoma të zhdukur dhe 11 janë të lënduarit.

Në anën tjetër 20 janë të shpëtuarit. Skuadrat e shpëtimit kanë punuar përgjatë gjithë natës ndërkohë që operacionet e kërkimit vijojnë edhe sot.

Janë zjarrfikësit, policia pyjore, trupa kombëtare e shpëtimit etj që janë angazhuar në këto operacione.

Por fatkeqësisht bilanci i viktimave pritet të rritet. Siç shpjegon kreu i mbrojtjes civile të Rajonit të Kalabrisë, Carlo Tansi, vështirësia për të pasur një pasqyrë të qartë se kush është zhdukur është për shkak të faktit që ekskursionistët ishin në grupe të shpërndara.

Operacionet tani do të zhvendosen edhe më tej në grykën e lumit, sepse ekziston frika se disa viktima mund të jenë tërhequr deri në det.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA