Raporti i 2017-s për urën “Morandi”: Nuk paraqet probleme strukturore

17/08/2018 11:34

Pas vajtimit për jetët e humbura në tragjedinë e Genovas, vendin e ka zënë zemërimi dhe kërkesa e llogarisë. Faji po kërkohet gjithmonë e më shumë te ndërtuesit dhe përgjegjësit e mirëmbajtjes së urës së rrëzuar, duke vrarë 38 vetë e duke plagosur 15 të tjerë.

Janë edhe 10 apo 20 persona të tjerë që mendohet të kenë mbetur nën gërmadha, duke i rënduar edhe më shumë përmasat e fatkeqësisë.

Jo më larg se përpara 10 muajsh, punonjësit e Mbrojtjes Civile i dërgonin Këshillit rajonal vlerësimin e Stefano Mariglianit, drejtori i “Autostrade per l’Italia”, kompania që ka ndërtuar urën, sipas të cilit “Morandi” ishte urë e sigurtë.

“Në këtë moment, ura nuk paraqet asnjë problem të karakterit strukturor”, thuhej aty. Takimi i Këshillit rajonal, mbajtur 23 tetorin e vitit të kaluar, pati plot momente tensioni e debate, me përfaqësuesin e Mbrojtjes Civile, Giacomo Giampedrone, që dëgjonte shqetësimin e banorëve në shtëpitë poshtë strukturës, si dhe idetë për punime përforcuese.

Fatkeqësisht, ajo së cilës këta njerëz i druheshin ndodhi vërtet. I pyetur nga “Corriere della Sera”, njëri prej projektuesve të urës, inxhinjer Saverio Ferrari rrëfen bashkëpunimin e “Autostrade per l’Italia” me shoqërinë “Le Condotte”, një kompani me historik të dyshimtë që më pas falimentoi.

“Ku vinte dorë ‘Le Condotte’ do të kishte dështim”, shprehet ai. Inxhinjeri mendon se tragjedia ishte kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar, sepse gjatë ndërtimit të urës, nga sa shpjegon Ferrari duke hyrë në detaje teknike, nuk u përdorën shtyllat antisizmike, por shtylla të thjeshta.

Jehona e ngjarjes së rëndë, që tronditi thellë Italinë e pushtoi prej ditësh titujt e medieve botërore, mbërriti e fortë edhe në vendin tonë, kur u konfirmua se në mesin e viktimave ishin edhe dy shqiptarë që banonin prej vitesh në fqinjin e përtej Adriatikut, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina, që po udhëtonin në një nga automjetet e rrëzuar pas shembjes së strukturës.

Top Channel