Lira turke ra me thuajse 9 për qind mëngjesin e kësaj të hëne, ndërkohë që euro arriti pikën më të ulët brenda një viti, pasi investitorët i frikësohen faktit se kriza financiare turke mund të përhapet në tregjet europiane.
Pavarësisht fjalëve sfiduese nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përgjatë fundjavës, teksa u zotua për veprime ende të paspecifikuara për të frenuar këtë pikiatë, monedha turke ra me ritme alarmuese kundrejt dollarit amerikan të hënën.
Në orët e para të mëngjesit, lira arriti pikën më të ulët të të gjitha kohërave me 7.24, përpara se të ringrihej sërish, pasi rregullatori bankar i vendit njoftoi orët e vona të natës së të dielës se do të kufizonte aftësinë e bankave turke për të këmbyer lirën e goditur thellë me valutë.
Tregjet aziatike të bursave pësuan gjithashtu rënie të hënën. “Nikkei” i Japonisë humbi 1.7 për qind; Hong Kongu e nisi me një rënie 1.8%; Shanghai me -1.7 për qind; Sydney me -0.5 për qind; ndërsa bursa tajvaneze ra me 3%. “FTSE100” pritet të hapet me -0.4 për qind më vonë gjatë kësaj të hëne, ndërsa gjermanja “Dax 30” pritet ta nisë me 0.65% rënie.
Euro ka humbu 0.3 për qind të vlerës, duke kapur nivelin më të ulët njëvjeçar kundrejt dollarit amerikan këtë të hënë, pasi rënia e lirës turke nxiti kërkesën për valuta të sigurta, përfshi këtu dollarin, frangën zvicerane apo jenin japonez.
Ekziston gjithashtu shqetësim se, monedha të tjera të tregjeve në zhvillim, që deri më tani kanë qenë nën presion nga rritja e dollarit amerikan, mund të bien në spiralen rënëse të lirës turke. Rubla ruse dhe rupit indianë kanë rënë gjithashtu në nivele rekord.
Lira ka pësuar një zhvlerësim prej mbi 40 për qind brenda këtij viti, pas shqetësimeve për rritje të kontrollit të Erdoganit mbi ekonominë dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, kryesisht për shkak të luftës në Siri. Vendimi i gjykatës turke për të zgjatur burgimin e Andreë Brunson, një pastor amerikan i akuzuar për spiunazh në favor të militantëve kurdë dhe lëvizjen gyleniste – grup ky i akuzuar për organizimin e grushtit të shtetit të vitit 2016, – bëri që gjërat të përplaseshin hapur me Donald Trumpin, i cili u kundërpërgjigj javën e kaluar duke dyfishuar tarifat mbi çelikun dhe aluminin turk që importohen në SHBA.
Top Channel