Receta elektronike s’funksionon, KLSH konstaton një sërë problemesh

31/07/2018 20:21

Receta elektronike, e cila ka nisur të përdoret në shërbimin shëndetësor parësor, nuk po funksionon siç duhet. Problemet me internetin dhe ngadalësinë e tij janë bërë pengesë për funksionimin e recetës elektronike në qendrat shëndetësore ku ka filluar të implementohet. Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar një sërë problemesh.

“Kryesisht mungesës së internetit dhe shpejtësisë së tij të ulët. Në një periudhë të dytë iu duhet të t’i rihedhin ato ose pacientët të rivijnë përsëri për të përfituar recetën. Kjo do të thotë, se janë disa “DRF” që vazhdojnë në mënyrë tradicionale të lëshojnë recetë me letër dhe kjo zë një masë gati 69 përqind të shtrirjes. Kjo vlerë është shumë e ulët dhe nuk janë zbatuar afatet kontraktuale”, tregon Alfred Leskaj, auditi i lartë, KLSH.

Por, ajo çfarë e bën edhe më shqetësuese është mosfillimi i funksionimit të recetës elektronike në Qendrën Spitalore Universitare, nga ku ekspertët mendojnë se duhet të niste kjo risi në sistemin shëndetësor. Fondi i sigurimeve e kishte planifikuar të niste në dhjetor 2017, pasi në farmacinë e QSUT rimbursohet gati 30% e të gjithë buxhetit për rimbursimin e barnave dhe me recetën elektronike kontrollohen abuzimet e mjekëve me barnat e shtrenjta.

“Është shkelur ky afat dhe mund të nënvizonim që ky do të ishte edhe një prioritet i fondit dhe i Ministrisë, pasi Qendra Spitalore Universitare zë gati 30.4 përqind të rimbursimit të barnave të shtrenjta”, thotë Leskaj.

Sipas zotit Leskaj, receta elektronike parashikonte që të kishte nënshkrim elektronik jo vetëm nga mjeku që lëshon medikamentin, por edhe nga farmacisti që e tregton atë, i cili lë gjurmë për barin që do të rimbursojë, por nëmshkrimi elektronik nga ana e farmacistit nuk ka nisur të implementohet.

Burime nga QSUT, thonë se receta elektronike ka nisur të funksionojë në ato shërbime ku lëshohen barna të shtrenjta me rimbursim në mesin e muajit korrik. Janë 100 mjekë specialistë që lëshojnë receta elektronike dhe tanimë janë në monitorimin e FSDKS për recetat që lëshojnë.

Top Channel