Luajti në “100 milionë”, me paratë e fituara murgesha ngriti këndin e lojërave

08/07/2018 12:06

Motër File, murgesha që shërben në Fushë-Milot, u bë të dielën e 29 prillit pjesë e lojës “100 milionë” në Top Channel, nga ku doli edhe fituese e 7.5 milionë lekëve.

Synimi i saj, së bashku me shumë vullnetarë të tjerë është human, ndaj dhe për këtë arsye ajo u bë pjesë e lojës.

“Fakti që ne jemi këtu është sepse jemi për kauzën tonë. Ne dëshirojmë që në Fushë-Milot të jetë një kënd lojërash, ku fëmijët, në vend që të qëndrojnë në ambiente të tjera, që nuk janë edukuese, nuk janë formuese, nuk janë të shëndosha, t’iu japim një ambient ku ata të mund të argëtohen edhe të mund të mësojnë të rriten së bashku, në mënyrë të shëndoshë”, tha Motër File.

Pas dy muajsh, tashmë fëmijët e Fushë-Milotit kanë këndin e tyre të lojërave, ku mund të argëtohen.

“Ja tek mbërriti dita e realizimit të ëndrrës së ndërtimit të këndit të lojërave. Jemi shumë të lumtura që u realizua kjo ëndërr, që tashmë fëmijët do ta gëzojnë dhe jam shumë, shumë e lumtur që e kanë këtë mundësi për të luajtur në fushë. Faleminderit Top Channel për mundësinë e dhënë”, deklaroi më tej Motër File.

Top Channel