Vrau gruan, Çelnik Shaholli: E shtyva dhe kur ra në tokë ia përplasa kokën në dysheme

11/06/2018 15:25

Ka dalë para gjykatës së Durrësit Çelnik Shaholli, i cili të premten vrau bashkëshorten e tij 42-vjeçare, nënë e 6 fëmijëve. 43-vjeçari njihet me masën e sigurisë.

Në gjykatë ai ka shprehur pendesë për veprimin, duke u kërkuar falje gjashtë fëmijëve të tij. “E shtyva dhe kur ra në tokë ia përplasa kokën në dysheme disa herë”, ka thënë në sallën e gjyqit 43-vjeçari Shaholli nga Maliqi i Korçës, e me banim në Durrës. Në seancën ku mori masën arrest me burg, ai nuk kishte asnjë familjar të tijin.

Më herët, prokurorja e çështjes Rabjana Halili kërkoi largimin e gazetarëve nga salla me arsyetimin e ruajtjes së hetimeve.

Mbrëmjen e së premtes Adriana Shaholli 42 vjeçe, nënë e një djali dhe 5 vajzave gjeti vdekjen në spital nga plagët e marra në kokë si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, një i papunë dhe përdorues i rregullt i alkoolit, që për shkak të xhelozisë së sëmurë i kërkonte viktimës dhe të braktiste punën e të qëndronte mbyllur në shtëpi, pavarësisht se ishte e vetmja që siguronte të ardhura për familjen nga puna e gjetur vetëm pak muaj më parë.

 

Top Channel