Shqiptarja Vikena Kamenica ofron një interpretim në rolin e Dalilës në formën më të përsosur të bukurisë. Me superlativa i nisin komentet mediat franceze për mexosopranon shqiptare, Vikena Kamenica dhe debutimin e saj në pjesën “Samson et Dalila”, ngjitur në skenën e operas së Metz-it, në datat 1-3 dhe 5 qershor. Në rolin e protagonistes, këngëtarja shqiptare ka mbajtur peshën kryesore, një rol që ajo e ka pritur prej vitesh.

“Samson et Dalila është një nga veprat më të rëndësishme për repertorin francez dhe këta e kanë si vepër monumentale të tyren. Hyn tek veprat me pak personazhe. Isha e vetmja e huaj në këtë vepër, edhe më keq akoma, që nuk flisja frëngjisht. Kishte një ngarkesë shumë të madhe emocionale. Si këngëtarët e tjerë, edhe unë prita kritikën deri ku do të shkonte. Jam shumë e kënaqur që si unë, si vetë institucioni që më bëri ftesën, më bënë këtë kritikë kaq të mirë”, u shpreh Vikena Kamenica.

Mentori i saj drejt këtij roli ishte sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho.

“Është një nga sfidat më të forta, debut. S’e kam kënduar asnjëherë në jetën time dhe për herë të parë e bëj premierë jo në vendin tim, që gjithsesi të liron pak nga emocionet, por në vendin ku autori e ka shkruar veprën dhe audienca është vetëm franceze. Jam munduar të jap maksimalen me një emocion shumë të fortë, me një përgjegjësi shumë të madhe. Pritja ishte shumë e mirë”, tregoi mexosopranoja shqiptare.

Kritika e specializuar nuk ndalet teksa lëvdon zërin dhe timbrin plot ngjyra të mexosopranos, e cila përkujdeset po aq edhe për shqiptimin e gjuhës, sa edhe për linjën vokale të personazhit, duke ia dalë të triumfojë në notat e larta, që i menaxhon me art dhe profesionalizëm.

Top Channel