“Reforma në drejtësi” diskutohet në Hagë, ekspertët holandezë: Modeli më i mirë

23/05/2018 10:03

Ekspertët holandezë e kanë quajtur reformën në drejtësi në Shqipëri si një nga modelet më të mira për reformimin e sistemeve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor por dhe vende të tjera.

Në një takim të organizuar në Hagë, nga ambasada shqiptare në Holandë në bashkëpunim me Qendrën për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (The Center for International Legal Cooperation (CILC) ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe ajo e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Reformat në Shqipëri, kurrësesi nuk mund të konsiderohen kozmetike dhe përkundrazi mund të quhen si një përpjekje e guximshme dhe unike në llojin e saj” deklaroi Robert Bosch, ish-Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe moderatori i tryezës së diskutimeve.

Ministri i Brendshëm Xhafaj tha se ajo çka pritet nga kjo reformë është pastrimi i radhëve të sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë dhe të lidhur apo ndikuar në vendimmarrjen e tyre nga bota e krimit, krijimi i institucioneve të reja që sigurojnë më shumë pavarësi të sistemit, krijimi i mekanizmave që garantojnë balancë dhe kontroll efektiv të sistemit në luftë me koorporatizmin dhe korrupsionin.

Ministrja e Drejtësisë, gjatë fjalës së saj, u shpreh se “në Shqipëri sistemi i drejtësisë është rindërtuar nga themelet. Jo çdo njeri është dashamirës ndaj sistemit të ri për shkak se kanë shumë për të humbur. Rrjedhimisht, ndryshimet rrënjësore në sistemin ligjor shqiptar nuk lidhen vetëm me ligjet dhe rregullat, por edhe me zemrat dhe mendjen e njerëzve”.

Më tej, përpara auditorit, ministrja Gjonaj deklaroi se “jemi krenar që jemi asistuar nga një numër ekspertësh dhe akademikësh me experiencë, si edhe nga ekipi i CILC në ndryshime e mëdha që po ndërmarrim dhe të cilat qysh tani, kanë sjellë shumë zhvillime. Pa ndihmën e vendeve të tjera, qeveria dhe administrata publike do e kishte të vështirë të ndërmerrte reforma të një shkalle të tillë”.

Eric Vincken, zëvëndësdrejtor i CILC përgjegjës për drejtimin e ekipit të ekspertëve holandez tha se “reforma ligjore në Shqipëri është e një shkalle historike dhe e pashoq. Nuk është bërë kurrë më parë. Ka ndryshuar pothuajse çdo nen dhe kapitull të legjislacionit shqiptar. Gjithashtu, ne vlerësojmë miratimin në parim të marrëveshjes së Eurojust nga Shqipëria si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes së Shqipërisë në platformat e tjera ndërkombëtare ajo është shndërruar në një anëtare me të drejta të plota të ekosistemit ligjor global. Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të nxisë më tej qeverinë për të vijuar me reformat rrënjësore në Shqipëri”.

Në takim foli edhe zonja Agnes Bernhard, drejtuesja e ekipit të Euralius, e cila ndau me të pranishmit rolin që ka luajtur EURALIUS në hartimin e reformës, si dhe në zbatimin e saj.

Top Channel