Donald Trump i cilësoi “sulme ndaj vendit”, kontrollet që agjentët e FBI-së kryen në zyrat dhe shtëpinë e Michael Cohen, avokatit personal të presidentit amerikan.
Kontrollet u kryen nga prokurorët federalë të Nju Jorkut, të informuar nga prokurori special Robert Mueller.
Nuk është e qartë nëse kontrollet kanë të bëjmë me hetimin e Muellerit për bashkëpunimin e dyshuar mes drejtuesve të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Një pjesë e ekspertëve mendojnë se Mueller mund të ketë zbuluar diçka jashtë hetimit të tij, e për këtë arsye ua kaloi informacionet prokurorëve të Nju Jorkut.
Megjithatë, Trump u tregua mjaft i shpejtë në bashkimin e pikave dhe tha se kontrollet e ushtruara ndaj Cohen janë pjesë e sulmit ndaj tij.
“Është për të ardhur keq. Në njëfarë mënyre është një sulm ndaj vendit tonë. Kemi të bëjmë me një grup të njëanshëm njerëzish, që kanë konfliktin më të madh të interesit që unë kam parë. Ata janë thuajse të gjithë demokratë”, tha Donald Trump.
Trump shtoi se “gjuetia e shtrigave” ndaj tij vazhdon, ndërsa theksoi se nuk ka pasur kurrë bashkëpunim mes drejtuesve të fushatës së tij dhe Rusisë.
Agjentët federalë sekuestruan mjaft dokumente nga avokati Cohen, mes të cilave edhe ato të një pagese prej 130 mijë dollarësh, që Cohen i bëri aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels. Kjo e fundit është në një betejë ligjore me Trumpin për të treguar marrëdhënien e tyre, e pagesa ishte bërë pikërisht për t’i mbyllur gojën.
Top Channel