FBI-ja nuk merret vetëm me rastet e ditës, por zotësinë e saj e tregoi edhe me zgjidhjen e misterit që rrethonte identitetin e një mumjeje 4000-vjeçare.

Që prej vitit 1915, kur koka e dëmtuar e mumjes u gjet në cepin e një varri të Deir el Bershas, në Egjipt, arkeologët nuk kishin mundur ta zbulonin se kujt i përket, megjithëse shkrimet në mure u deshifruan duke treguar se varri mbante trupat e një guvernatori të quajtur Djehutynakht dhe të shoqes.

Për ekspertët, ky qe një emër krejtësisht i panjohur. Tani, gati 100 vjet më vonë, çështjen e mori në dorë Byroja Federale e Hetimit, e cila pas kërkimeve të publikuara në revistën Genet, saktësoi se koka e mumjes i përkiste padyshim një mashkulli.

Falë teknikave të avancuara, u arrit të nxirrej një kampion ADN-je nga dhëmbët e mumjes dhe analizat e mëtejshme dëshmuan se bëhet fjalë për vetë guvernatorin. Kuratorët shpjegojnë se FBI-ja ka zhvilluar një metodë tejet të sofistikuar për rindërtimin e thuajse çdo ADN-je të dëmtuar.

Kur arritën ta rikrijojnë ADN-në e një dhëmbi 4000-vjeçar, këtë mund ta bëjnë absolutisht me çdo gjë tjetër, thonë specialistët. Vështirësitë nuk ishin aspak të vogla, duke qenë se koka e mumjes u gjet në ambijent shkretëtire dhe temperaturat e larta, ndikojnë që ADN-ja të degradojë shumë më shpejt sesa në kushte të zakonshme.

Top Channel