“Cari” rizgjidhet President; Vladimir Putin drejt mandatit të katërt

18/03/2018 19:18

Vladimir Putin duket se e ka vulosur edhe mandatin e katërt të tij si President. Sipas exit poll-eve, rezultatet e të cilave u bënë publike vetëm pak minuta pas përfundimit të procesit, Vladimir Putin kryeson me 73.9 për qind të votave.

Për rezultatin zyrtar duhet pritur ende, por edhe për gjashtë vite të tjera, Rusia me siguri do të drejtohet nga njeriu që ka dominuar atë që nga 1999, herë si President e herë si Kryeministër.

Në Moskë qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00 sipas orës sonë dhe një orë më pas u hodhën votat e fundit edhe në perëndimin e largët të vendit. Më shumë se 100 milionë rusë kishin të drejtën e votës.

Putin, që konsiderohej që prej fillimit favorit i padiskutueshëm në garë u përball me shtatë kandidatë të tjerë mes të cilëve, komunisti milioner Pavel Grudinin, spikerja televizive Ksenia Sobchak dhe nacionalisti veteran Vladimir Zhirinovski.

Lideri kryesor i opozitës, Alexei Navalni, u ndalua të kandidonte për shkak të një dënimi që ai e konsideron politikisht të motivuar. Ai i kishte kërkuar zgjedhësve të bojkotonin procesin dhe kishte dërguar mijëra vëzhgues në qendrat e votimit për të verifikuar shkelje të mundshme.

Grupi i pavarur monitorues, Golos ndërkohë ka raportuar me qindra parregullsi gjatë ditës, ndër të cilat fletë votimi të gjetura në disa kuti para se zgjedhjet të fillonin, ndalim të vëzhguesve të hynin në qendra, presione etj.

Vetë Komisioni Elektoral ka raportuar 13 shkelje të ligjit zgjedhor dhe ka paralajmëruar përndjekjen e personave përgjegjës. Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas zyrtarëve ishte e kënaqshme e madje më e lartë se në 2012.

Deri në orën 18:00, sipas orës së Moskës, 60 për qind e zgjedhësve kishin votuar, ndërsa në disa zona në lindjen e largët të vendit është raportuar një pjesëmarrje prej 100 përqindësh, ndonëse vëzhguesit e opozitës thonë se kanë shifra të ndryshme.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë edhe se kishin zbuluar dhe zmbrapsur një sulm kibernetik gjatë natës në faqen e tyre të internetit.

Top Channel