Një furgon që transportonte 25 nxënës është aksidentuar mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Vërzhezhë të Skraparit, duke shkatuar plagosjen e 10 adoleshentëve.

18-vjeçarja Romina Kapllani ka pësuar dëmtime më të rënda sesa nxënësit e tjerë, ndaj është transportuar me helikopter menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mjekët thonë se parametrat e saj shëndetësore aktualisht nuk i vënë në rrezik jetën.

Gjovalin Bushi, shef i Urgjencës në Spitalin e Traumës, thotë: “Gjendja e përgjithshme e vajzës është e mirë, por ka frakturë në këmbë dhe shtypje të mushkërive. Do i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për këmbën”.

Ka qenë ora 07:30 e mëngjesit kur automjeti që transportonte nxënësit e fshatrave Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës ka dalë nga rruga dhe për shkak të trerrenit të pjerrët është rrokullisur në pyll.

4 prej të plagosurve janë dërguar për mjekim në Spitalin e Beratit, ndërkohë që 5 nxënës të tjerë janë dëmtuar më lehtë dhe janë trajtuar në Spitalin e Çorovodës.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici.

Top Channel