KOKSH “zhvlerëson” peshëngritjen. Çalja dhe Qerimaj: Kemi arritjet më të mira në 2017

22/02/2018 20:04

Pak ditë më parë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar organizoi anketën e 10 sportistëve më të mirë të vitit të shkuar, e mes shumë emrave e sporteve, mungonte një nga sportet elitare dhe të traditës në Shqipëri, si peshëngritja.

KOKSH, që nga muaji dhjetor u ka dërguar nga një “e-mail” të gjitha federatave për të dërguar propozimet e tyre. Federata e Peshëngritjes ka dërguar emrat e Briken Çaljes dhe Romela Begajt. Në këtë periudhë ende nuk ishte zbuluar rasti i dopingut të peshëngritëses Begaj, e cila u shpall nënkampione e botës, ndërsa Çalja u rendit në vendin e katërt në Botërorin e Amerikës, por as ai nuk ishte mes sportistëve më të mirë të 2017-s.

“Përzgjedhja është bërë e qëllimshme. Nuk e di arsyen, dikush duhet të na japë një shpjegim. Këta njerëz, një çmim si ky kanë në duar dhe shikoni si reagojnë. Imagjinoni të ishin shpërblime ato që ndaheshin”, tha Briken Çalja, peshëngritës.

Ndërkohë, në renditjen e përgjithshme të vitit 2017 të Federatës Botërore, sipas së cilës sigurohet edhe kualifikimi për në Olimpiadën e ardhshme, peshëngritësi më i mirë shqiptar është Erkand Qerimaj. Një emër që Federata shqiptare e Peshëngritjes as e kishte përzgjedhur për të qenë mes më të mirëve.

Por nëse FSHP-ja në këto momente është në situatë kaotike parazgjedhore, Komiteti Olimpik duket se zgjodhi rrugën më të shkurtër, duke i nxjerrë krejtësisht jashtë anketës si sport.

“Më vjen keq që nuk isha mes sportistëve të vitit. Unë kam mbi 45 medalje ndërkombëtare e vlerësime nga Presidenti i Republikës, madje në Botërorin e shkuar isha i treti në botë dhe mes 10 sportistëve nuk jam. Kur bëhen këto manovra për gjëra publike, imagjinoni çfarë ndodh me fonde e gjëra të tjera”, tha peshëngritësi Erkand Qerimaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA