Të përjashtuar nga ndihma, protestë e familjarëve në Peshkopi

14/02/2018 09:14

Qytetarët e Dibrës, të cilët janë skualifikuar pas zbatimit të skemës së re të ndihmës ekonomike, kanë pushtuar zyrat ku jepet kjo ndihmë në Bashkinë e Dibrës.

Jo vetëm ambientet e ndihmës ekonomike, por dhe ato të Shërbimit Social Rajonal janë zënë nga qytetarë të shumtë. Nga 7000 aplikime që janë bërë në muajin janar në të gjithë bashkinë, kanë përfituar ndihmë ekonomike vetëm 3216 familje, më pak se 50% e aplikuesve. Numri i të skualifikuarve është 3884 familje, disa përfaqësues të të cilave kanë kërkuar argumentim nga zyrat e ndihmës ekonomike dhe shërbimi social.

“Jam me qira dhe me një vajzë të vogël. Unë e burri pa punë. Arsyeja që nuk na e japin është se thonë që nuk na kemi mbledhur pikët”, thotë një banore.

Në katër Bashkitë e Qarkut të Dibrës, Mat, Klos, Bulqizë e Dibër, kanë aplikuar në skemën e re të ndihmës ekonomike 12 963 familje, ndërsa kanë përfituar për muajin janar vetëm gjysma e tyre.

Top Channel