Shkatërrimi i urës 200-vjeçare të Ali Pashës po përjetohet nga banorët e fshatit Hoshtevë si të ishte një mort. Kjo sipas tyre është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Zagorie.
Top Channel kishte paralajmëruar përmes një reportazhi në 5 janar se ura monument po shkonte drejt shkatërrimit, por një ditë më vonë grupi i ekspertëve të Ministrisë dhe Monumenteve të Kulturës garantoi se rrezikshmëria nuk ishte e nivelit të lartë dhe se ura ishte e qëndrueshme e do të resturohej së shpejti në një periudhë pa reshje.
Një tjetër grup ekspertësh këtë të hënë, pas shembjes së urës e justifikuan këtë ngjarje me rrëshqitjen e një masivi dheu. Raporti përmbyllet me këtë konkluzion: Pavarësisht problematikave të dukshme në bazamente, shkaqet që kanë sjellë humbjen e qëndrueshmërisë, prishjen e skemës statike dhe shkatërrimin e urës janë shkëputjet masive të dherave në pjesën e sipërme në pjesën veriore”.
“Çarje toke nuk ka fare ka ardhur vetëm nga rënia e themelisë, që i ka ikur bazamenti”, thotë Koço Puleshi, ndërtues.
Adninistratori i Zagories tregon se për vite me rradhë banoret jepnin alarmin, por fondi për ndërhyrjejen në urë nuk u miratua asnjëherë.
“Por mua më thanë MOnumentet e Kulturës atëherë se ka dalë fondi, po meqë norma e fitimit është e ulët, pritet të dalë dhe një fond për kishën e Hoshtevës, dhe e njëjta firmë ti bëjë bashkë që të ketë një fitim logjik brenda normave të caktuara”, thotë administratori Arqile Puleshi.
Ura e Hoshtevës ishte ndër monumentet e rralla të periudhës së ndërtimeve të Ali Pashës. Monumenti me një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore ishte dëshmi e shkëmbimeve tregëtare, të Mesjetës së vonë në këtë krahinë.
Top Channel