Lista e publikuar nga Departamenti amerikan i Thesarit, si pjesë e ligjit të sanksioneve që synon të ndëshkojë Moskën për ndërhyrjen në Presidencialet amerikane, e ka irritur shefin e Kremlinit Vladimir Putin, i cili deklaroi se raporti shënjestron në fakt të gjithë popullis rus.
Lista, për të cilën Departamenti i Thesarit u kujdes të sqaronte se nuk nënkupton sanksione të reja, rreshton emrat e 210 personave, 114 politikanë dhe 96 oligarkë, mes të cilëve figurojnë edhe 42 këshilltarë të shefit të Kremlinit, kryeministri Dmitry Medvedev, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, drejtues të komunitetit të shërbimeve sekrete e udhëheqës biznesi.
“Ky është një akt krejtësisht jomiqësor, që i komplikon marrëdhëniet SHBA-Rusi, ndonëse unë nuk dua ta përshkallëzoj situatën”, u shpreh Putin. “Rusia, – shtoi ai, – më mirë të mendojë për veten dhe ekonominë e saj”.
Vlera e pasurisë së personave të përfshirë në raport mbërrin në një miliard dollarë apo më shumë. Në mesin e oligarkëve të profilit të lartë gjendet edhe emri i Roman Abramovich.
E ashtuquajtura “listë e Putinit” evidenton praktikisht njerëzit që kanë bërë pasuri, ose kanë fituar pushtet nga shoqërimi me presidentin rus. Për korrespondentët e huaj, ajo nuk tregon asgjë të re sa u takon individëve të prekur aktualisht nga sanksionet, por duhet të përbëjë objekt shqetësimi për personat që mund të cënohen prej tyre në të ardhmen.
Në bazë të ligjit amerikan, dokumenti duhej publikuar brenda së hënës dhe u nxor vetëm 10 minuta para mesnatës. Paraqitja në limitet e afatit kohor u interpretua nga analistët si reflektim i gjakftohtësisë së Trumpit përpara respektimit të ligjit dhe kundërshtisë së tij ndaj nevojës për të ndëshkuar rusë të tjerë me sanksione.
Top Channel