U eliminua nga Bristol City, Mourinho: Ditë e bukur për futbollin

21/12/2017 11:36

Bristol City ishte “me fat” që e mposhti Manchester United, por rezultati gjithsesi ishte “një ditë e bukur për futbollin”, deklaroi trajneri i “djajve të kuq”, Jose Mourinho, pas përfundimit të takimit.

Korey Smith shënoi golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes, teksa ekipi i kategorisë së dytë angleze, Championship, eliminoi kampionët në fuqi të Kupës së Ligës (e titulluar Carabao Cup).

Tashmë ekipi inferior do të vihet përballë kryesuesve të pamposhtur të Premier League, Manchester City, në gjysmëfinalet që zhvillohen me dy takime.

“Fitoi një ekip nga një kategori më e ulët, kështu që është një ditë e madhe për ta”, tha Mourinho për “Sky Sports”.

Bristol City mbërriti deri në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni për herë të parë që prej sezonit 1988-’89, falë një fitoreje të merituar në “Ashton Gate”, teksa kaluan të parët në avantazh në pjesën e dytë me Joe Bryan. United, që kishte goditur deri atëherë traversën dhe shtyllën, barazoi me anë të Zlatan Ibrahimoviç, pas një devijimi të goditjes së dënimit.

Por goli i Smith shkaktoi skena historike në stadium pas vërshëllimës së fundit, teksa United u bë ekipi i katërt nga Premier League që eliminohet prej Bristol Cityt, pas Watfordit, Stokes dhe Crystal Palace.

“Ata ishin me fat, por luftuan vërtet fort për të qenë me fat. Të gjithë prisnin golin tonë, por shënuan ata, ndërsa ne goditëm dy herë trarët e portës. Megjithatë, edhe ata luajtën mirë, madje dukej sikur ishte ndeshja e jetës për ta, e me shumë mundësi e tillë ishte. Kjo është një ditë e bukur për futbollin”, tha Mourinho.

Top Channel