Kupa e Shqipërisë sjell përballjen Vllaznia-Tirana

12/12/2017 20:27

Ditën e mërkurë do të luhen ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8 të Kupës së Shqipërisë.

Ndeshja më e bukur në letër dhe nga e cila pritet shumë është klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, takim që do të luhet në “Loro Boriçi”, pas përballjes së parë në “Selman Stërmasi”, ku bardheblutë fituan me rezultatin 2-0. Skuadra e Vllaznisë ka zhvilluar stërvitjen e fundit ditën e martë.

“Është ndeshje e vështirë pasi na penalizon rezultati i ndeshjes së parë. Ne po përgatitemi për të marrë maksimumin dhe me pak fat”, tha trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka.

Ndërkohë, sipas Gjokës, Vllaznia është në një situatë të vështirë si skuadër dhe për këtë arsye rezultatet po mungojnë edhe në kampionat: “Kam gjetur një ekip me probleme dhe po mundohemi që të rekuperojmë çfarë të mundemi. Sigurisht që gjërat nuk po shkojnë siç duhet, por me këtë skuadër po përpiqemi që të bëjmë më të mirën e mundshme. Unë e kam thënë që deri në dhjetor do të jemi në provë”.

Ndërkohë, Tirana ka zhvilluar një seancë stërvitore me dyer të mbyllura dhe gjithçka është mbajtur sekret për këtë ndeshje kthimi nga trajneri Ze Maria.

Sa i përket ndeshjeve të tjera, interesante është edhe ndeshja mes Teutës dhe Kamzës, e cila do të nisë me barazimin 1-1 të sfidës së parë. Partizani dhe Skënderbeu kanë fituar ngushtë 1-0 në ndeshjet e tyre me Pogradecin dhe Besëlidhjen dhe në sfidat e kthimit janë shumë të favorizuara duke marrë parasysh faktin që luajnë në fushat e tyre.

Top Channel